AIP kërkon nga partitë politike mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve gjatë fushatës

12:26 | 21 Janar 2025
E.G

Në përmbushje të detyrimeve ligjore dhe ushtrimin e mandatit të saj për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve të Republikës së Kosovës, Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) kërkon nga Partitë Politike mbrojtjen e të dhënave personale gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e datës 9 shkurt 2025.

Sipas njoftimit, kjo agjenci në vitet e fundit ka pranuar ankesa të adresuara nga qytetarët ndaj partive politike për përdorimin e të dhënave personale të qytetarëve në mënyrë të paautorizuar, duke aplikuar marketingun e drejtpërdrejtë, të cilat raste, janë trajtuar përkitazi me ligjin, shkruan Arbresh.info.

AIP ka kërkuar nga partitë politike që të mos i ekspozojnë të dhënat personave gjatë komunikimit nëpërmjet postës elektronike, mesazheve dhe thirrjeve telefonike pa pëlqim paraprak.

“Për të siguruar zbatimin e ligjit, për mbrojtjen e të dhënave personale dhe njëkohësisht për të shmangur çdo veprim të Agjencisë kundrejt Partive Politike dhe subjekteve të përfshira në procesin e fushatës elektorale, Agjencia kërkon nga Partitë Politike zbatimin e detyrimeve ligjore për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve duke mos ekspozuar të dhënat personale gjatë komunikimit nëpërmjet postës elektronike (e-mail), mesazhet (SMS) dhe thirrjet telefonike, pa pëlqim paraprak.”, thuhet në njoftim.

“Agjencia ofron bashkëpunim me subjektet politike për të siguruar respektimin e së drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe bën thirrje që çdo informacion personal i mbledhur gjatë procesit të regjistrimit të votuesve, për realizimin e komunikimit me qytetarët gjatë aktiviteteve të fushatës zgjedhore, të përdoret në përputhje me kërkesat ligjore.”, thuhet tutje./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme