Shtetet e Bashkuara kanë vendosur të premten sanksione kundër pesë individëve dhe një kompanie, të cilët i kanë ndihmuar presidentit të entitetit serb të Bosnje e Hercegovinës, Republika Sërpska (RS), Millorad Dodik, dhe familjes së tij, të pasurohen në kurriz të popullit.
Departamenti amerikan i Thesarit njoftoi gjithashtu se ka vendosur sanksione edhe kundër tetë individëve që organizuan festimin e ditës antikushtetuese të këtij entiteti në fillim të këtij muaji.
Zyra amerikane për Kontrollin e Aseteve të Huaja (OFAC) tha në një komunikatë se i ka futur në listën e zezë Pavlo Çoroviqin, (bashkëshortin e vajzës së Dodikut, Goricës), Radmila Bojaniqin, Nemanja Reljinin, Sinisha Dodikun dhe Marko Gujançiqin, për shkak se i kanë ndihmuar Dodikut dhe familjes së tij të pasurohen.
Për organizimin e festimit të ditës antikushtetuese të RS-së, sipas udhëzimeve të Dodikut, u vendosën sanksione ndaj ministrit të Punëve të Brendshme të këtij entiteti, Sinisha Karan, shefit të kabinetit të Dodikut, Danijelo Dragiçeviq, shefit të Protokollit të RS-së, Goran Rakoviq, sekretarit të Përgjithshëm të RS-së Dalibor Paniq, drejtoreshës së Radios dhe Televizionit të RS-së, Dijana Milankoviq, presidentit të Gjykatës Kushtetuese RS-së, Gerard Selman, presidentit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të RS-së, Rajko Kuzmanoviq, dhe shefit të kabinetit të kryetarit të Kuvendit të RS-së, Goran Filipoviq.
Në një reagim në X, Dodik i cilësoi sanksionet si të “motivuara politikisht” nga administrata amerikane në largim.
Republika Sërpska, e shënoi më 9 janar me një paradë në rrugët e Banjallukës ditën e saj, të cilën Gjykata Kushtetuese e Bosnjës e ka shpallur tri herë jokushtetuese.
Paraprakisht, Ambasada amerikane në Sarajevë kishte bërë thirrje për hetim të çdo shkeljeje të ligjit lidhur me shënimin e ditës jokushtetuese.
OFAC tha se vendimin për sanksionet e së premtes e mori pas urdhrit ekzekutiv të 8 janarit të presidentit amerikan, Joe Biden, i cili zgjeroi fushëveprimin e autoriteteve amerikane për t’i luftuar aktivitetet që minojnë ose tentojnë të minojnë kornizat rajonale të paqes dhe sundimin e ligjit në Ballkanin Perëndimor.
“Veprimet e sotme vunë në pah përpjekjet e vazhdueshme të Dodikut për ta minuar kuadrin demokratik dhe shumetnik që definon Bosnje e Hercegovinën moderne”, tha ushtruesi i detyrës së nënsekretarit të Departamentit të Thesarit për Terrorizmin dhe Inteligjencën Financiare, Bradley T. Smith.
Ai shtoi se SHBA-ja, duke përdorur fuqitë e saj të zgjeruara, “mbetet e përkushtuar për të penguar çdo përpjekje të Dodikut dhe miqve të tij për t’u pasuruar dhe për ta destabilizuar rajonin”./rel/
Zyrtare: Tuchel rinovon kontratën me kombëtaren e Anglisë
Qeveria “Kurti 3” miraton marrëveshjen 90 milionë euro me Ba...
Shkëlzen Jetishi, Sabri Fejzullahu, Arif Vladi dhe shumë ar...
Zvicra do të hedhë në votim propozimin për të kufizuar popul...
Dixon: Gjykata duhet të ketë kujdes nga dëshmitë që ua dha S...
Qeveria procedon në Kuvend projektligjin për buxhetin e viti...