Shtetet e Bashkuara i bën thirrje Iranit që të lirojë pa kushte laureaten e Çmimit Nobel për Paqe, Narges Mohammadi, pasi ajo u lejua që të lirohej përkohësisht nga burgu për shkaqe shëndetësore.
Departamenti amerikan i Shtetit tha se Mohammadi nuk është dashur kurrë të burgosej.
Situata e saj “vazhdon të jetë shumë shqetësuese sepse ajo pikë së pari nuk është dashur të burgosej fare”, tha për gazetarët zëdhënësi i DASH-it, Vedant Patel.
“Përkeqësimi i situatës së saj shëndetësore është rezultat i drejtpërdrejtë i abuzimit që ajo ka përjetuar në duart e regjimit iranian. Ne sërish, siç kemi bërë në të kaluarën, kërkojmë lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të Nargesit dhe të burgosurve të tjerë politikë”, tha ai.
Mohammadi, 52-vjeçare, ka qenë e burgosur që nga nëntori i vitit 2021, pasi ishte dënuar nën akuza që lidhen me avokimin e saj kundër veshjes së detyruar të hixhabit – shamisë së kokës – për gratë në Iran dhe kundërshtimit të saj për dënimin me vdekje që aplikohet në Iran.
Pas lirimit, ajo publikoi menjëherë në rrjetet sociale një fotografi të Mahsa Amini, 22-vjeçarja iraniane që vdiq në shtator të vitit 2022, teksa ishte në paraburgim. Vdekja e saj nxiti protesta masive në Iran.
Mohammadi është liruar për tri javë dhe mbështetësit e saj e kanë kundërshtuar këtë vendim, duke e cilësuar si joadekuat.
Mohammadi për dekada të tëra ka kërkuar respektimin e të drejtave të njeriut në Iran dhe ka qenë disa herë në burg në 20 vjetët e fundit. Ajo është dënuar pesë herë që nga marsi i vitit 2021 dhe aktualisht është duke vuajtur një dënim prej 12 vjetësh burgim, pasi është dënuar për “përhapje të propagandës” kundër Republikës Islamike.
Për punën e saj për të drejtat e njeriut, ajo fitoi Çmimin Nobel për Paqe më 2023./rel/
Haradinaj: Ardian Gjini do jetë kandidat për kryeministër në...
Gjyqtari serb Laban kërkoi të përjashtohet nga vendimmarrja ...
Pas masës së përkohshme, VV pret nga Kushtetuesja ta anulojë...
Prishtina tërhiqet nga ENBL, shkak telashet financiare
Kurti në kërkesën dërguar Kushtetueses: Presidentja i takoi ...
Komandanti i KFOR-it pret në takim zyrtaren e NATO-s, diskut...