Të gjithë sytë kah Maqedonia

08:35 | 16 Janar 2016
Arbresh.info

Në fillim të vitit 2015, kriza politike në Maqedoni mori një dimension të ri kur lideri i opozitës me anë të projektit “E vërteta për Maqedoninë” filloi shpalosjen e përgjimeve telefonike të mbi 20 mijë personave në Maqedoni.

Kriza në Maqedoni filloi në vitin 2010 me mbylljen e televizionit “A1”, i cili kritikonte Qeverinë dhe me arrestimin e pronarit të televizionit, ndërsa më pas në vitin 2012 vijuan edhe protesta në Kuvend nga ana e opozitës për miratimin e buxhetit të vitit 2013, në të cilin ishte pjesë edhe projekti “Shkupi 2014”. Në atë kohë, bisedimet rreth buxhetit shkaktuan tensione mes Qeverisë dhe opozitës, ndërkohë disa gazetarë dhe deputetë opozitarë u përjashtuan nga Kuvendi, duke u përdorur edhe forcë fizike pasi që kritikonin ashpër Qeverinë.

Një faktor tjetër i rëndësishëm, që thelloi krizën politike në vend, ishte mospjesëmarrja e opozitës në Kuvend, e cila pasoi pas bisedimeve rreth buxhetit dhe me mosnjohjen e rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2014 nga opozita.

Në fillim të vitit 2015, kriza politike në Maqedoni mori një dimension të ri. Lideri i opozitës, LSDM-së, Zoran Zaev, me anë të projektit “E vërteta për Maqedoninë” filloi shpalosjen e bisedave telefonike, siç pretendon ai, përgjimet telefonike të mbi 20 mijë personave në Maqedoni, mes të cilëve edhe kryeministri, Nikolla Gruevski, dhe funksionarë tjerë të lartë të Qeverisë. Kjo thelloi krizën edhe më shumë, kur lideri Zaev filloi shpalosjen para publikut dhe akuzoi personat në fjalë për korrupsion, krim dhe abuzim ndaj shtetit.

Nga ana tjetër, kryeministri Gruevski deklaroi se kjo është një përpjekje për “grusht-shteti” dhe për ardhjen e liderit Zaev në pushtet në mënyrë të paligjshme. Një faktor tjetër për thellimin e krizës ishte edhe dënimi me burg të përjetshëm për gjashtë shqiptarët, të cilët ishin të akuzuar në rastin “Monstra”, që ndodhi më 12 prill të vitit 2012 në liqenin pranë fshatit Smilkovc të Shkupit, ku i vranë katër të rinj maqedonas dhe një peshkatar. Sipas përgjimeve të shpalosura nga opozita pretendohet se të dënuarit e rastit “Monstra” janë të pafajshëm.

Megjithatë, të gjitha këto zhvillime i lë nën hije konflikti i armatosur i policisë maqedonase me një grup të armatosur në “Lagjen e trimave” të Kumanovës, më 9 maj të vitit kaluar, për të cilët pretendohej se përgatitnin një sulm kundër disa institucioneve të vendit. Në operacionin, i cili zgjati 28 orë, humbën jetën 8 policë, rreth 30 u plagosën, ndërsa nga ana e grupit të armatosur 10 persona u vranë dhe rreth 30 u arrestuan. Tre ditë pas kësaj ngjarjeje, më 12 maj dhanë dorëheqje ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankulloska, ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakieski, dhe shefi i Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim, Sasho Mijallkov.

Vendimi për zgjedhje të parakohshme parlamentare

Ndërmjetësues në këtë marrëveshje mes liderëve të partive politike ishte komisionari evropian për Negociata dhe Zgjerim, Johannes Hahn.

Eurokomisionari Hahn në muajin qershor njoftoi se është dakorduar që të mbahen zgjedhje të parakohshme parlamentare deri në fund të muajit prill të vitit 2016.

Sipas marrëveshjes së nënshkruar, ishte parashikuar që opozita të kthehet në Kuvend, të ndalohet publikimi i bisedave të përgjuara, emërimi i prokurorit special, rregullimi i kabinetit, si dhe dorëheqja e kryeministrit, Nikolla Gruevski, 100 ditë para zgjedhjeve të parakohshme, ku sipas marrëveshjes duhet të mbahen më 24 prill të këtij viti.

100 ditë para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Trajko Veljanoski, njoftoi se i është dorëzuar letra e dorëheqjes së kryeministrit, Nikolla Gruevski./AA

Shpërndaje në rrjete sociale