Policia reagon ndaj cilësimeve të Vetëvendosjes

14:38 | 15 Janar 2016
M. A.

Policia e Kosovës përmes një kumtese ka reaguar ndaj cilësimeve të Vetëvendosjes, pas arrestimeve të disa anëtarëve të saj, duke i konsideruar ato të pabaza dhe se ajo po zbaton ligjin.

Në kumtesë thuhet:

Policia e Kosovës, duke iu referuar shkrimeve dhe kumtesave të ndryshme nëpër media të publikuara nga Lëvizja Vetëvendosje , e në veçanti kumtesës së lëshuar sot (15.1.2016) lidhur me arrestimin e Artan Abrashit, nga ky subjekt, ku për Policinë e Kosovës thuhet: ”me këto arrestime policia është vënë në mbrojtje të një Qeverie antikushtetuese, ajo po mbron një pushtet jolegjitim dhe të rebeluar kundër Republikës”, reagon fuqishëm dhe sqaron opinionin e gjerë se kumtesa apo deklarime të tilla të vazhdueshme nga ky subjekt kanë për qëllim krijimin e një opinioni të ndryshëm nga ai çfarë e karakterizon Policinë e Republikës së Kosovës.

Gjithashtu duam të sqarojmë që në rastin e potencuar në kumtesë të Vetëvendosjes, për të akuzuarin e përmendur të gjitha vendimet ligjore nga organet kompetente të drejtësisë janë zbatuar gjatë realizimit të rastit apo sjelljes së personit të dyshuar para organeve kompetente sipas procedurave që i parasheh ligji.

Pra, ju informojmë se për të akuzuarin e njëjtë ka pasur urdhëresë nga gjykata kompetente për sjelljen e tij për shkak të veprës penale “pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm” të sanksionuar sipas nenit 412 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK-së), lidhur me nenin 31 të KPRK-së dhe “sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare”, të sanksionuar sipas nenit 410 paragrafi 2 të KPRK-së.

Policia e Kosovës si institucion i zbatimit të ligjit garanton të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se përveç detyrave dhe përgjegjësive që ka në mbrojtjen e Kushtetutës së Republikës dhe zbatimit të ligjeve të aplikueshme, jemi në funksion aktiv të ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike, garantimit të lëvizjes së lirë, mbrojtjes së jetës së qytetarëve pa dallim dhe mbrojtjen e pronës, përfundon kumtesa e lëshuar përmes Zyrës për informim të Policisë së Kosovës.

Shpërndaje në rrjete sociale