Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, do të takohet këtë të enjte me kryeministrin hungarez, Viktor Orban, në shtëpinë e vet në Florida, raporton Reuters.
Agjenda e plotë e takimit të tyre nuk dihet, por sipas njërit prej burimeve të Reuters, lufta në Ukrainë do të jetë ndër temat e bisedës mes tyre.
Orbani, mbështetës i kamotshëm i Trumpit, i vizitoi befasi Kievin, Moskën dhe Pekinin, për bisedime të cilat ai i ka paraqitur si “mision i paqes”.
Takimi i tij në Moskë me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, i ka zemëruar në veçanti disa prej vendeve aleate të NATO-s, të cilat thanë se vizita e tij u dha ligjshmëri pretendimeve të Putinit për territorin e uzurpuar ukrainas prej se Rusia e nisi pushtimin më 2022.
Orbani ndodhet në Uashington, ku mori pjesë në samitin e NATO-s këtë javë.
Lajmi për takimin mes Orbanit dhe Trumpit u raportua për herë të parë nga Bloomberg.
Në muajt e fundit, zyrtarët e jashtëm kanë kërkuar vazhdimisht takime me Trumpin dhe këshilltarët e tij kryesorë, në përpjekje për të diskutuar për politikën e tij të jashtme, nëse ai e mposht presidentin demokrat, Joe Biden, në zgjedhjet e 5 nëntorit.
Sondazhet tregojnë se Trumpi ka një epërsi të gjerë kundër Bidenit.
Një këshilltar i tij, Keith Kellogg, u takua me disa zyrtarë të jashtëm të nivelit të lartë në margjinat e samitit të NATO-s, Reuters raportoi këtë javë.
Orbani u takua me Trumpin për herë të fundit në fillim të marsit. Pas atij takimi, kryeministri nacionalist i ofroi mbështetje Trumpit në garën për president./rel
Drita rikthehet në elitën e basketbollit kosovar, mposht Pri...
Zulfaj: I kemi votat për president, vetëm duhet pjesëmarrja ...
Ushtria amerikane pretendon se ka devijuar 27 anije nga bllo...
Rreziku nga lëndët plasëse,Komisioni për Siguri shqyrton pro...
Rama ndan video nga takimi me Presidentin e Emirateve të Bas...
Real Madridi e fiton UEFA Youth League