Ja kush janë zyrtarët me paga më të larta në Kosovë

13:53 | 10 Janar 2016
M. A.

Në Kosovë nuk janë krerët e shtetit ndër zyrtarët më të paguar në vend. Janë udhëheqësit e ndërmarrjeve publike dhe agjencive të ndryshme të cilët paguhen prej 3 mijë deri në mbi 5 mijë euro në muaj. Për standardin e Kosovës, ky është një burim i pakënaqësisë së njerëzve kur dëgjojnë për këto paga tepër të larta. Megjithëse performanca e ndërmarrjeve dhe agjencive nuk është e kënaqshme, dhe për këtë njohësit e ekonomisë thonë se këta udhëheqës nuk i meritojnë pagat marramendëse.

Drejtori i Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (Trust), Adrian Zalli mbetet zyrtari më i paguari në vend. Ai vazhdon të marrë pagën mujore 15 herë më të lartë se paga mesatare në vend. Zalli pagë mujore merr 5 mijë e 213 euro ose 62 mijë e 567 euro në vit.

Pas Zallit, pagën më të lartë e ka Agron Mustafa, kryeshef ekzekutiv në Telekomin e Kosovës, i cili merr pagë mujore 4 mijë e 451 euro.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) Bedri Hamza merr pagë mujore 4 mijë e 301 euro ose 51 mijë euro pagë vjetore.

Pas guvernatorit prin Avni Jashari, ud. i drejtorit menaxhues në Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP) i cili fiton 3 mijë e 979 euro në muaj ose pagë vjetore 47 mijë e 749 euro.

Fare keq nuk qëndron as Sejdi Hoxha, kryeshef i Postës së Kosovës, i cili merr pagë mujore 3 mijë euro.

Edhe Bahri Nuredini, kryeshef në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës (ANP) merr pagë mujore 2 mijë e 970 euro, kurse drejtori menaxhues i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) Arben Gjukaj ka pagë mujore 2 mijë e 413 euro.

Ndërkaq, krerët e shtetit të Kosovës kanë pagat më të ulëta krahasuar me udhëheqësit e këtyre agjencive dhe ndërmarrjeve.

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga merr pagën mujore 2 mijë e 800 euro, kurse kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli 2 mijë e 724 euro.

Kryetari i Qeverisë së Kosovës Isa Mustafa nuk ka deklaruar pagën e kryeministrit në fletën e deklarimit të pasurisë në ueb-faqen e Agjencisë Kundër Korrupsion, përveç pagës që merr nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, 15 mijë e 422 euro në vit dhe pagës vjetore nga Fakulteti Ekonomik, që kap shumën prej 10 mijë e 145 euro në vit.

Ndërsa, paga mujore e një ministri aktual në Qeverinë e Kosovës është rreth 1 mijë e 200 euro. Ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi pagë vjetore merr 14 mijë euro, që i bie se ai merr pagë më të ulët se bashkëshortja e tij, e cila fiton 18 mijë euro, brenda një viti në një kolegj privat në Prishtinë.

Menaxheri i programit anti-korrupsion në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Artan Canhasi për KosovaPress thotë se rrogat e mëdha të cilat i marrin menaxherët e NP-ve dhe Agjencive të pavarura nuk i meritojnë. Ai tha se nuk i meritojnë për shkak se këto kompani në shumicën e rasteve operojnë me humbje të përgjithshme neto.

Sipas Canhasit, nuk duhet që të mbështeten tutje, por të sanksionohen këta udhëheqës, mirëpo këtu në Kosovë ndodh e kundërta.

Ai thotë se këto ndërmarrje publike apo agjencitë e pavarura shpesh herë shërbejnë si vend për akomodimin e militantëve politikë. Njerëzit të cilët shpeshherë kanë kandiduar në zgjedhje dhe nuk kanë fituar apo janë shpenzuar politikisht. Sipas tij, kjo shërben si një lloj bonusi për ata persona të cilët i kanë kryer partisë favore të ndryshme.

Eksperti i ekonomisë Muhamet Sadiku për KosovaPress thotë seme këto paga marramendëse, nuk është rastësi që bordet dhe udhëheqësit e ndërmarrjeve janë kryesisht politike. Ai thotë se për fat të keq këto paga nuk kanë lidhshmëri me suksesin e ndërmarrjeve publike.

Sipas tij, partitë politike në pushtet zakonisht i dërgojnë njerëzit e vet të cilët pak marrin vesh me qeverisjen korporatave, kurse nga ana tjetër jashtë këtyre pozitave lihen njerëzit që kanë eksperiencë dhe ekspertizë për funksionalizimin e këtyre ndërmarrjeve publike.

Sadiku thotë se edhe pse janë asete publike, duhet të rritet efikasiteti i shfrytëzimit të tyre.

Pagat e këtyre zyrtarëve publik janë në bazë të fletëve të deklarimit të pasurisë në ueb-faqen e Agjencisë Kundër Korrupsion.

 

Shpërndaje në rrjete sociale