Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar reaguan ashpër ndaj njoftimit të autoriteteve të Republikës Sërpska se ky entitet do t’i dërgojë një propozim për “ndarje paqësore” entitetit të Federatës së Bosnjë e Hercegovinës.
Nuk ka asnjë bazë ligjore, faktike apo racionale për thirrjet për “ndarje paqësore” të Bosnjë e Hercegovinës, njoftoi zyra e BE-së në Bosnjë e Hercegovinë, duke shtuar se thirrje të tilla nuk çojnë askund dhe krijojnë frika të papranueshme në mesin e qytetarëve.
Ambasada amerikane në Sarajevë tha se “ndarja” e Republikës Sërpska nuk nënkupton fundin e Bosnjë e Hercegovinës, por të Republikës Sërpska.
Ambasadori britanik, Julian Rielly, reagoi ngjashëm, duke shkruar në X – që më herët njihej si Twitter – se “nuk është e vërtetë që Republika Sërpska mund të shkëputet nga Bosnja dhe as që mund të ekzistojë jashtë shtetit”, por vetëm ekziston si një entitet brenda Bosnjë e Hercegovinës.
Më 23 maj, në ditën kur Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë, Qeveria e Republikës Sërpska tha se brenda 30 ditësh, do të shkruajë një propozim për marrëveshje, lidhur me ndarjen paqësore në Bosnjë e Hercegovinë.
“BE-ja, mes tjerash, dhe përmes EUROF-it, është e përkushtuar për sovranitetin, integritetin territorial, rendin kushtetues dhe subjektivitetin ndërkombëtar të Bosnjë e Hercegovinës, dhe për të ofruar një mjedis të sigurt”, tha zyra e BE-së në Bosnje.
Blloku evropian u bëri thirrje udhëheqësve të Bosnjë e Hercegovinës “që të fokusojnë përpjekjet e tyre për të krijuar një mjedis për pajtim dhe të kryejnë reformat e nevojshme për të arritur përparim në rrugën evropiane”.
Presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, pas mbledhjes së Qeverisë në këtë entitet tha se do të kërkojë mbështetjen nga udhëheqja serbe për vendimin për ndarje.
Një përpjekje për ndarjen e Republikës Sërpska do të përbënte shkelje të Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit dhe të Kushtetutës së Bosnjë e Hercegovinës, në të cilën specifikohet statusi i të dy entiteteve./REL/
Irani në OKB: Të gjitha akuzat e SHBA-së ndaj Teheranit janë...
Spanja nuk do ta ndjekë objektivin e ri të NATO-s për shpenz...
Sonte pas mesante finalja e shtatë e NBA, vendoset titulli k...
Starmer dhe Trump bien dakord që Irani nuk duhet të ketë kur...
Sa gjumë nevojitet gjatë fundjavës për ta pushuar trupin?
NATO bie dakord të rrisë shpenzimet ushtarake në pesë për qi...