“Ai ishte një strateg i rrallë politik, njeri i drejtësisë dhe i lirisë. Për lirinë dhe të drejtat e popullit të tij ai luftoi me mjete politike dhe në fund edhe luftarake, duke u bërë hallkë e pazëvendësueshme lidhëse mes dy periudhave vendimtare për çlirimin e Kosovës, rezistencës civile me mjete politike dhe luftës çlirimtare”, ishin fjalët e Zëvendëskryeministres dhe Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla gjatë akademisë përkujtimore të mbajtur në Stuttgart për nder të 25-vjetorit të rënies në betejën e Koshares të Heroit të Kosovës, Sali Çekaj.
Në praninë e më shumë se 400 pjesëmarrësve nga mërgata, bashkëveprimtarë dhe bashkëpunëtorë, miq dhe shokë të heroit të Kosovës, Sali Çekaj, në shenjë nderimi për figurën e tij dhe të gjithë të rënëve për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e vendit, në Stuttgart, në vendin prej nga Sali Çekaj për vite me radhë dha një kontribut të pakrahasueshëm për çështjen e Kosovës, u mbajt akademia përkujtimore e organizuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, respektivisht Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, shkruan Arbresh.info.
Në fjalën e saj para qindra të pranishmëve, Ministrja Gërvalla duke vlerësuar lart kontributin e Sali Çekajt tha se ai ishte patriot i pakompromis, gjigant i rezistencës, sinonim i trimërisë dhe urtësisë, personifikim i përpjekjeve të pandërprera për liri dhe drejtësi dhe si i tillë ai do të mbetet përjetë në vetëdijen tonë simbol i sakrificës sublime për liri, pavarësi dhe demokraci.
Profesor Ali Aliu, një ndër shtyllat kryesore të organizimit të rezistencës civile, anëtar i ASHAK dhe përfaqësuesi i parë i Kosovës në Republikën e Shqipërisë, evokoi momente të veçanta nga koha kur e kishte njohur heroin, e sidomos nga periudha e stërvitjes së grupeve të para për vetmbrojtje në Shqipëri, pjesë e të cilave ishin ndër të tjera pos Sali Çekajt, edhe Adem Jashari, Zahir Pajaziti dhe plot të tjerë. Prof. Aliu shpërfaqi gjatë fjalës së tij para të pranishmëve karakterin e fortë, përgatitjen profesionale, vullnetin dhe vendosmërinë e Sali Çekajt për të luftuar për Kosovën deri në frymën e fundit.
Rreth kontributit të Sali Çekajt në mobilizimin e mërgatës për çlirimin e vendit, mbështetjen financiare dhe logjistike si dhe ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, foli personi, i cili nga të gjithë parafolësit u përshkrua si bashkëveprimtari më i ngushtë i heroit në Gjermani, ish kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjermani dhe diasporë, Hafiz Gagica.
Ai ngriti në pah vendosmërinë dhe trimërinë e rrallë Sali Çekajt.
Ish-komandanti i Brigadës 138 “Agim Ramadani”, bashkëluftëtari i heroit Sali Çekaj, koloneli Rrustem Berisha, rrëfeu për luftimet e ashpra të Koshares, e sidomos të 19 prillit, gjatë të cilave Sali Çekajn, të quajtur me nofkën “Veterani” e kishte lutur të mos shkonte atë ditë në vijën e frontit, por të qëndronte në komandë. Ai me vendosmëri i ishte përgjigjur se nuk do të lejojë që “këmba e serbit të shkelte mbi vendin ku kishte derdhur gjak Agim Ramadani”. Ashtu edhe kishte ndodhur në të vërtetë, Sali Çekaj dhe shumë luftëtarë të Koshares ranë heroikisht, mirëpo serbët u zmbrapsën prej aty përgjithmonë.
Postës e Kosovës, në shenjë nderimi ka emituar pullën postare me titullin “Sali Çekaj, Hero i Kosovës”, për nder të 25-vjetorit të rënies së tij.
Ministrja Gërvalla ia dorëzoi pullën postare përfaquesuesit të familjes së heroit, Sali Çekaj, Migjen Çekaj, i cili në fjalën e tij përshëndetëse falënderoi Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Konsullatën në Stuttgart dhe konsullin Hamdi Berbatovci për organizimin dhe të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre.
Të pranishmit ndoqën tri pika muzikore të interpretuara nga sopranoja Arta Jashari dhe pianisti Andi Duraku si dhe ekspozitën me fotografi të heroit Sali Çekaj nga veprimtaria e tij kolosale./Arbresh.info/
Angela Martini rrëfen ‘puthjen’ me Donald Trump dhe divorcin...
Libohova tërheq turistë edhe në dimër, vizitorët kërkojnë të...
Sulm fizik gjatë një ahengu në Leposaviq, viktima dërgohet p...
24 vjet nga lirimi i Albin Kurtit nga burgu i Nishit
Burri raporton në polici se gruaja e tij është larguar nga s...
Të fjeturit më pak se gjashtë orë gjumë, rrit rrezikun e dem...