Dialogu që prodhoi krizën politike

16:16 | 8 Janar 2016
M. A.

Ka mjaftuar një marrëveshje e nënshrkuar në Bruksel që të prodhojë krizën më të madhe politike në vend.

Është pikërisht marrëveshja e 25-26 gushtit për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, marrëveshje kjo që ngriti në këmbë opozitën, e cila që nga shtatori e deri në fund të sesionit vjeshtor ka bllokuar punimet e Kuvendit.

Në lidhje me raundin e bisedimeve që rezultoi edhe marrëveshjen për Asociacionin, ministrja për Dialog Edita Tahiri në një intervistë për KosovaPress në muajin gusht paralajmëroi mbajtjen e bisedimeve teknike dhe atyre politike në fund të atij muaji.

 

“Temat të tjera që do të jenë janë çështja e Asociacionit, është çështja e heqjes së barrikadës nga ura e Ibrit dhe çështja e heqjes së pengesave që Serbia po ja bënë zbatimit të Marrëveshjes për energji. Këto janë tri temat kryesor e që do të jenë në agjendën e dialogut me 24 dhe 25 gusht. Ku me 24 gusht mbahet takim në nivelin teknik, ndërsa me 25 gusht vazhdon takimi në nivelin e kryeministrave me ndërmjetësimin e përfaqësues së lartë zonjës Mogherini”, pat thënë Tahiri në atë kohë.

Në këtë intervistë Tahiri ka folur edhe për marrëveshjen për Polisat e Sigurimeve, duke thënë se me arritjen e kësaj marrëveshjeje qytetarëve të Kosovës do t’u hiqet brenda një viti pagesa prej 600 euro që është dashur të bëj shtesë, për të hyrë në shtetin Serbe, duke shtuar se keqkuptimet që kanë ndodhur lidhur me këtë marrëveshje, duhet të largohen pasi që me të përfitojnë qytetarët e Kosovës, e në veçanti ata të Luginës së Preshevës.

 

“Marrëveshja për Polisat e Sigurimev e që ka të bëj me zbatimin me 12 gusht, siç e dini i ka hequr një barrë të madhe financiare për qytetarët që udhëtojnë në Serbi, sepse me këtë Marrëveshje ata nuk kanë nevojë me paguar pagesa shtesë për sigurimet e automjeteve për hyrje në Serbi. Siç e dini para marrëveshjes një qytetar kur ka kaluar në Serbi ka paguar 60 euro për dy javë qëndrim, apo 105 euro për një muaj, përkatësisht 600 euro në vjet nëse ka shkuar në Serbi me automjetin e vet, e ka siguri automjetin e vet. Me këtë Marrëveshje që ka filluar zbatimin me 12 gusht qytetarët e Kosovës lirohen komplet nga kjo pagesë”, ka thënë Tahiri.

Ashtu edhe siç paralajmëroi Tahiri 25-26 gushti do të shënonte nënshkrimin e marrëveshjeve për atë që opozita kishte vendosur tashmë ta kundërshtonte, marrëveshjen në mes kryeministrave të dy vendeve, Isa Mustafës dhe Aleksandër Vuçiqit, për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumic? ? serbe.

Mustafa me të arritur këtë marrëveshje tha se do të raportonte para Kuvendit të Kosovës për atë që kishte nënshkruar në Bruksel.

 

“Kjo pako është në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet e vendit me rezolutë të Kuvendit të Kosovës për dialogun në Bruksel numër 04/001 të datës 10 mars 2011… Ju kisha lutur dëgjoni…”, pat thënë Mustafa.

Mirëpo fjalimi i tij u ndërpre nga deputetët e opozitës të cilët nisën ta gjuanin me vezë kryeministrin, me c’rast reaguan shpejtë truprojat e kryeministrit Mustafa.

Se dialogu i zhvilluar në Bruksel ishte i mbyllur këtë vlerësim disa herë e kishte bërë opozita gjatë vitit 2015.

Nënkryetari i parë i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Çaushi, pati deklaruar se Qeveria e drejtuar nga Isa Mus tafa deri më tani nuk ka treguar aspak transparencë për ato që është diskutuar dhe arritur në Bruksel, derisa homolugu i tij serb, Aleksander Vuçiq, sipas Çaushit, është treguar korrekt dhe transparent me popullin e tij.

Ai deklaroi aso kohe se nuk pret që të ketë ndërrim të qasjes së kësaj Qeverie, duke thënë se vetë dëmi që po i shkaktohet Kosovës nuk mund të përcillet me një transparencë të shtuar.

Se Qeveria ka mungesë të transparencës dhe llogaridhënies ndaj qytetarëve, mediave dhe kuvendit e tha edhe deputetja nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Donika Kadaj- Bujupi. .

Kadaj-Bujupi në vazhdimësi kishte pohuar se mbyllja e Qeverisë dhe heshtja e saj karshi këtij procesi dëshmon se këto vendime dhe këto marrëveshje nuk janë në të mirë të vendit.

Kështu, viti 2015 përfundoi me pesë marrëveshje të arritura në Bruksel dhe me asnjë prej tyre të implementuar gjatë vitit që po e lëmë pas.

Informatat e fundit, si nga Prishtina, ashtu edhe nga Beogradi, flasin se pritet që xhirot e ardhshme të dialogut për normalizimin e marrëveshjeve në mes të dy vendeve të fillojnë nga fundi i janarit apo fillimi i shkurtit./

Shpërndaje në rrjete sociale