Milionat për rrugët e rrezikshme

14:38 | 5 Janar 2016
M. A.

Shoferët e pesëmbëdhjetë veturave që u përfshinë në tri aksidente të ndara të dielën në Prishtinë, kanë paguar nga 40 euro për mirëmbajtjen dhe sigurinë e tyre në rrugë, momentin kur kishin regjistruar veturat e tyre.

Megjithëkëtë,  paratë që paguan bashkë me miliona euro tjera taksa të qytetarëve nuk kryen punë ditën kur bora mbuloi Kosovën.

Kompanitë e kontraktuara për të mirëmbajtur rrugët edhe pse i morën paratë, e vunë në rrezik jetën e vozitësve, duke mos i pastruar rrugët.

Kështu që nga e diela mbrëma në tërë Kosovën janë shkaktuar më shumë se 120 aksidente rrugore, 19 prej të cilave me lëndime sipas të dhënave zyrtare të policisë së Kosovës.

Nuk është hera e parë që institucionet përgjegjëse, bora i zë në befasi edhe pse është muaji janar. Madje në disa raste komunat ende nuk kanë përgjedhur kompanitë që do të merren me mirëmbajtjen dimërore të rrugëve lokale.

Gazeta Fjala, ka analizuar një pjesë të madhe të tenderëve të publikuar nga institucionet në KRPP dhe buxhetin e ndarë për ta.

Tenderët milionësh të Ministrisë së Inftastrukturës për mirëmbajtje

Vetëm për mirëmbajtjen dimërore të Autostradës Ibrahim Rugova në dy të tendere të ndara Ministria e Infrastrukturës ka ndarë 2 milion e 386 mijë e 473 euro.

Tenderi i shpallur është për mirëmbajtja Rutinë dhe Mirëmbajtja dimërore deri në vitin 2017 të autostradës “Ibrahim Rugova”.

Në tenderin e parë fituese janë shpallur Famis Co  me çmimin 1 milion e 178 mijë e 744 euro dhe konsorciumi fitues Papenburg & Adriani & Toifor me 682 mijë e 520 euro.

Ndërsa për tenderin e dytë të kësaj ministrie u shpërblyen Arbotec me çmimin prej 963 mijë e 409 dhe konsorciumi Damastion Pro. & Milenium Con me 739 mijë e 366 euro.

Nga Ministria e Infrastrukturës gjithashtu 14 kompani dhe konsorciume fituese ishin shpallur fituese vitin e kaluar për mirëmbajtjen verore dhe dimërore të rrugëve nacionale dhe regjionale.

Ato kanë kontratë me këtë ministri për një afat tre vjeçarë.

Vetëm për regjionin e Prishtinës kjo Ministri dha kontrata që i kanë kushtuar 2 milion e 16 mijë e 897 euro.

Ndërkohë që për regjionin e Mitrovicës kjo ministri ka paguar 1 milion e 269 mijë e 809 euro. Kontrata për rrugët e regjionit të Pejës kushtoi 1 milion e 178 mijë e 617 euro.

Në Prizren për tu larguar  bora nga të gjitha rrugët regjionale do të kushtoj  prej 1 milion e 250 mijë e 359.

Për rajonin e Gjakovës u shpenzuan  1 milion e 128 mijë e 39 euro nga ministria e Infrastrukturës. Ndërsa për dy regjionet tjera Ferizaj 1 milion e 037 mijë e 519 euro dhe Gjilan 1 milion e 253 mijë e 862 euro.

Shkrimin e plotë mund ta lexoni këtu. 

Shpërndaje në rrjete sociale