Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj një individi dhe tre këmbimoreve valutore, për të cilat thotë se janë përgjegjëse për lehtësimin e rrjedhjes së ndihmës financiare iraniane për rebelët Huthi në Jemen.
Individi që u sanksionua është kreu i Shoqatës së Shkëmbyesve të Valutave në Sana. Tre institucionet për këmbimin e monedhave janë në Jemen dhe Turqi.
Nënsekretari i Thesarit të SHBA-së, Brian Nelson, tha në një deklaratë më 28 dhjetor se veprimi “thekson vendosmërinë tonë për të kufizuar fluksin e paligjshëm të fondeve për Huthit, të cilët vazhdojnë të kryejnë sulme të rrezikshme ndaj transportit ndërkombëtar dhe rrezikojnë të destabilizojnë më tej rajonin”.
Sanksionet ngrijnë çdo pasuri të SHBA-së që i përket subjekteve të shënjestruara dhe në përgjithësi ndalojnë amerikanët të bëjnë biznes me ta.
Huthit e Jemenit, të lidhur me Iranin, po luajnë një rol përshkallëzues në konfliktin në Lindjen e Mesme, duke sulmuar anijet në Detin e Kuq, duke gjuajtur raketa e duke kryer sulme me dronë ndaj Izraelit, në një fushatë që ata thonë se synon të mbështesë palestinezët në luftën në Gazë.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, njoftoi më 19 dhjetor për krijimin e një operacioni shumëkombësh për të mbrojtur tregtinë në Detin e Kuq në përgjigje të sulmeve të rebelëve Huthi.
Roli i rebelëve Huthi ka shtuar rreziqet rajonale të konfliktit, duke vënë në rrezik linjat detare përmes së cilave transportohet shumica e naftës së botës dhe ka rritur shqetësimet në mesin e shteteve në Detin e Kuq, përderisa raketat dhe dronët e rebelëve Huthi fluturojnë drejt Izraelit.
Shtetet e Bashkuara besojnë se Garda Revolucionare Islamike e Iranit po ndihmon në planifikimin dhe kryerjen e sulmeve me raketa dhe atyre me dronë nga rebelët Huthi.
“Mbështetja e Iranit për sulmet e rebelëve Huthi ndaj anijeve komerciale duhet të ndalojë”, tha sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, më 18 dhjetor.
Irani mohoi përfshirjen.
Wolves zyrtarisht bie nga Premier League
Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance udhëton drejt Pakistani...
Mblidhen disa komisione parlamentare, projektligje të shumta...
Vizita në Emiratet e Bashkuara Arabe, kryeministri Rama ndan...
Çfarë thuhet në raportin e Amnesty International për Kosovën...
Vrasja e Liridona Ademajt, sot shpallet aktgjykimi