Viti i arrestimeve të deputetëve

17:31 | 3 Janar 2016
M. A.

Viti 2015 u përmbyll me një numër të madh deputetësh të arrestuar, me-ish kryetarë komunash që vazhdojnë t’i ikin drejtësisë por edhe me kryetarë të komunave që vazhdojnë të mbajnë këto poste, ndonëse janë të dënuar në disa shkallë të drejtësisë kosovare.

Kosova në demokracinë parlamentare nuk njeh asnjëherë më shumë deputetë të arrestuar sesa gjatë tetorit dhe nëntorit të këtij viti, transmeton ksp.

Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Donika Kadaj- Bujupi, Aida Dërguti, Besa Baftiu, Glauk Konjufca, Faton Topalli,Fisnik Ismajli, Pal Lekaj, Time Kadrijaj, Teuta Haxhiu, Ismajl Kuteshi dhe Haxhi Shala, janë këta të gjithë deputetë të opozitës të cilët për shkak të veprimeve si hedhja e gazit lotsjellës brenda sallës se seancave dhe ambienteve tjera të Kuvendit, janë përballur me vendime të ndryshme nga ana e gjyqësori.

Derisa një grup deputetësh është përballur me paraburgim, disa të tjerë kanë qëndruar në arrest shtëpiak.

“Kjo pako është në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet e vendit me rezolutë të Kuvendit të Kosovës për dialogun në Bruksel numër 04/001 të datës 10 mars 2011… Ju kisha lutur dëgjoni…”, tha Mustafa.

Rekord këtë vit ka shënuar edhe mbajtja e seancave jashtë vendit të paraparë për to.

Bufeja në katin e pestë të Kuvendit, u shndërrua në sallë alternative ku do të mbaheshin disa seanca, madje edhe ajo që shënoi përfundimin e sesionit vjeshtor të Kuvendit.

Në vitet e fundit drejtësia kosovare është sfiduar edhe nga kryetarë komunash të cilët ndonëse kanë marrë vendime nga shkallët e para të gjykatave lidhur me keqpërdorim të detyrës zyrtare si Ramadan Muja, kryetari i Prizrenit dhe kryetari i Drenasit, Nexhat Demaku, lidhur me pretendime për kryerje të krimeve gjatë luftës kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku dhe armëmbajtje pa leje, si rasti i ish-kryetarit të Kaçanikut, Xhabir Zharku, tre nga ta vazhdojnë të mbajnë këto poste.

Madje, në një paraqitje publike kohëve të fundit drejtësinë kosovare e sfidoi rëndë ish kryetari i Kaçanikut, Xhabir Zharku ndonëse i dënuar e i arratisur në Suedi, vend në të cilin ka edhe shtetësi, ai u paraqit publikisht me 28 nëntor në një manifestim të organizuar nga Ministria e Diasporës.

Paraqitja e tij kishte shokuar dhe kishte nxitur reagimin nga presidentja e vendit, e cila në fjalimin e saj të fundit për këtë vit, si dhe ambasadori britanik Ruai o’Conell, tha se kjo është shokuese.

Mirëpo kemi edhe një kryetar tjetër të njërës nga komunat më të mëdha të Kosovës, atë të Prizrenit, Ramadan Muja, i cili tash e disa vite po përballet me drejtësinë dhe aktualisht lënda e tij është kthyer nga Gjykata Supreme në atë të Apelit vendim ky që nga nxitur reagime nga qytetarët aktiv të këtij qyteti.

Muja për akuzat e ngritura për keqpërdorim të detyrës zyrtare është deklaruar i pafajshëm dhe asnjëherë deri më tani nuk ka thënë se do të dorëhiqet nga posti i tij.

Ai madje në zgjedhjet e fundit lokale duke qenë i akuzuar kishte rikandiduar për pozitën e të parit të Prizrenit.

Raste të ngjashme ishin edhe ato të dy kryetarëve të tjerë – atij të Skenderaj dhe të Drenasit.

I pari, Sami Lushtaku që vazhdon të jetë në burgun e sigurisë së lartë në Gërdovc mban të ngrirë postin e kryetarit të Skenderajt, dhe ka rikandiduar po ashtu në zgjedhjet lokale të 2013 për kryetar të këtij qyteti duke marrë shumicën absolute të votave.

Rekorde këtë vit, pra në një përmbledhje, mund të thuhet se shënuan arrestimi i 13 deputetëve të opozitës, si asnjëherë më parë në historinë parlamentare të pasluftës të Kosovës dhe po ashtu përdorimi i gazit lotsjellës dhe mbajtja e seancave parlamentare jashtë vendit ku janë të parapara për t’u mbajtur ato.

Këtë vit për herë të parë një Kryesi e Kuvendit ka vendosur që të përjashtojë deputetë si pasojë e veprimeve të ndërmarra në seanca.

Viti 2015 do të mbahet mend po ashtu si viti në të cilin janë mbajtur protesta të shumta dhe në të cilat policia për të intervenuar gjatë operacioneve të ndërmarra për të arrestuar ndonjë, deputet siç ishte rasti i deputetit dhe ish liderit të VV-së, Albin Kurti, me ç’rast policia ka përdorur njërën nga njësitë elitare të saj, atë për anti-terrorizëm, apo FIT.

Shpërndaje në rrjete sociale