Presidenti kinez, Xi Jinping e ka mirëpritur në Pekin ish-kryediplomatin amerikan, Henry Kissinger, teksa Shtetet e Bashkuara synojnë përmirësimin e lidhjeve me Kinën.
Udhëtimi i Kissingerit në kryeqytetin kinez vjen në kohën kur Pekinin po e vizitojnë një mori zyrtarësh amerikanë.
Kissinger, ish-Sekretar amerikan i Shtetit, tani 100 vjeç, ka luajtur rol kyç në ofrimin e ndihmës për Kinën që të dalë nga izolimi diplomatik më 1970.
Shtetet e Bashkuara kanë thënë se Kissinger është duke e realizuar vizitën privatisht dhe nuk e përfaqëson Qeverinë amerikane.
Mirëpo, duke e marrë parasysh ndikimin e tij në Kinë, ai mund të veprojë edhe si kanal komunikimi mes SHBA-së dhe Kinës.
Televizioni shtetëror e ka shfaqur Xi-në duke buzëqeshur, teksa i ka thënë Kissingerit: “Jam shumë i lumtur që po ju shoh zotëri”.
“Ne nuk do t’i harrojmë kurrë miqtë e vjetër, dhe nuk do ta harrojmë kontributin tuaj historik për t’i krijuar lidhjet SHBA-Kinë, dhe miqësinë mes dy vendeve”, ka thënë mes tjerash Xi.
Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit, ka thënë këtë javë se janë të njoftuar për udhëtimin e Kissingerit dhe “nuk do të befasoheshin” nëse ai vendos t’i njoftojë ata për vizitën, pasi të kthehet në SHBA.
Në vizitë private, Kissinger mund të jetë më i hapur në diskutimet e tij me Xi-në dhe zyrtarë tjerë, duke pasur më shumë mundësi që t’i prezantojë shqetësimet dhe kërkesat e SHBA-së.
Po ashtu, për të është më e lehtë që të realizojë vizita me zyrtarë kinezë që janë në listën e sanksioneve amerikane.
Në një intervistë të dhënë në dhjetor të vitit të kaluar, Kissinger i ka kritikuar qasjet e administratës së presidentit Joe Biden, edhe të ish-presidentit Donald Trump ndaj Kinës.
Ai ka thënë Qeveria aktuale amerikane e nis dialogun me Kinën duke i vënë në pah “ligësitë kineze”, prandaj diskutimet pengohen./rel
Moti sot në Shqipëri
Në Speciale nga sot palët do të paraqesin fjalën përfundimta...
Moti sot vranët dhe me riga shiu
Kuba ndërmerr masa ekstreme për të përballuar mungesën total...
Ambasada e Kosovës në SHBA do hap dyert për bashkatdhetarët ...
Prehet torta në dasmën e Klodit dhe Elijonës