Sot pritet të mbyllet konkursi për rekrutimin e policëve të rinj nga radhët e komuniteteve që do të angazhohen në katër komunat në veri të vendit. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë për Radio Kosovën se është i kënaqur me aplikimet. Ndërsa, ekspertë të sigurisë thonë se konkursi mund të dështojë si pasojë e numrit të vogël të aplikimeve, që është rezultat i presionit të Serbisë.
Konkurs i hapur në fillim të janarit për rekrutimin e policëve të rinj nga radhët e komuniteteve, që do të angazhohen në katër komunat në veri të vendit, pas dorëheqjeve të ish policëve serbë, pritet të mbyllet sot. Duke mos treguar numrin e aplikantëve, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë për Radio Kosovën se është i kënaqur me aplikimet.
“Mund të them lirisht se jam i kënaqur me përgjigjen që kemi marrë. Ky konkurs do të jetë në vazhdimësi i hapur derisa nuk plotësohen të gjitha vendet. Por, tani për tani jam shumë i kënaqur me përgjigjen që kemi marrë për sa i përket aplikimeve”, tha Sveçla.
Marrë parasysh zhvillimet në veri, numri i aplikuesve mund të jetë i vogël, vlerësojnë ekspertë të sigurisë. Njëri nga ta, Fadi Kajtazi, thotë se ky konkurs mund të dështojë, si pasojë e presionit të madh të institucioneve të Serbisë te pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë.
“Gjasat për të konkurruar pjesëtarë të nacionalitetit serb në këtë konkurs për policë të Kosovës, janë tepër të vogla. Jo për shkak se qytetarët e pjesës veriore nuk kanë dëshirë, por për shkak se ekziston një frikë e ngjashme, si për shembull, ata qytetarë serbë që regjistronin veturat me targa RKS u digjeshin veturat apo përjetonin presione të ndryshme”, tha ai.
Teksa flet për presionin nga Serbia, në drejtim të serbëve lokalë, eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi, shprehet skeptik për sa i përket përmbylljes me sukses të konkursit për policë të rinj.
“Unë vazhdoj të mendoj në atë se ndoshta do të ishte një zgjidhje më e mirë politike, mundësia e rikthimit të zyrtarëve policorë, përveç atyre që nuk janë të involvuar në kryerjen e veprave penale si dhe disa eprorëve aty që kanë qenë iniciatorë për bashkëpunim të vazhdueshëm me regjimin në Beograd. Pra, mendoj se me një zgjidhje politike, rikthimi do të ishte i mundshëm”, tha Ibishi.
Konkursi që fillimisht ishte paraparë të mbyllej më 27 janar, pritet të mbyllet sot. Nga Policia, nuk kanë treguar numrin e aplikantëve. “Siç jeni të informuar konkursi është i hapur, ndërsa për sa i përket procesit të mëtejmë do të informoheni me kohë”, kanë thënë nga policia të pyetur nga Radio Kosova për numrin e aplikantëve, dhe nëse mund të zgjatet sërish afati për aplikim, në rast se numri i aplikimeve është i ulët. /rtk
Peleshi pret ambasadorët e Vendeve të Ulëta dhe Suedisë
VV nesër mban tubim elektoral në Prishtinë
Punëtori përgjegjës harroi t’i lëshojë nxemjet, ndërpritet m...
Kurti vizitoi për ngushllime familjen Bllaca
Van Dijk dëshiron që Salah të qëndroi tek Liverpooli
Negociatorët amerikanë kërkojnë që Ukraina të heqë dorë nga ...