Ish ministri i jashtëm i Rumanisë: Nuk duhet të luajmë ndaj Kosovës, le të humbim me rezultat 3-0

16:34 | 10 Tetor 2022
KRG

Kosova ka mësuar kundërshtarët e grupit për kualifikueset e Kampionatit Evropian 2024.

“Dardanët” do të jenë në Grupin I, së bashku me Zvicrën, Izraelin dhe Rumaninë, Bjellorusinë dhe Andorën, shkruan GazetaBlic Sport.

Rumania është njëri nga shtetet evropiane që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Politikani rumun, Teodor Melescanu ka ngritur këtë çështje, duke thënë se nuk duhet të luhet ndaj Kosovës për faktin se nuk e njohin pavarësinë e vendit.

“Kosova nuk është e pranuar nga një numër i shteteve, përfshirë edhe ne, Rumaninë. Ne nuk e kemi njohur kurrë pavarësinë e Kosovës. Normalisht, ajo që mund ta bëjmë ne për momentin është që Federata e jonë e Futbollit, përmes Razvan Burleanu, të diskutojë me shtetet tjera që gjenden në pozicion të njëjtë me Rumaninë dhe së bashku ta gjejnë rrugën, e cila nuk do ta shkatërronte sistemin tonë, që të mos i shkelim dhe t’i shpërfillim gjërat që janë mjaft të qarta në pikëpamjen e Rumanisë. Për këtë, do të thosha që Federata Rumune ta gjejë një zgjidhje. Nëse jo, ajo që mund ta bëjë është… që të humbë 0:3 nga Kosova. Le të mos paraqitemi në lojë ndaj Kosovës”, deklaroi Melescanu për “Antena 3”.

Shpërndaje në rrjete sociale