Shqipëria është një ndër konsumueset më të mëdha të mollëve në Europë, por nuk mbetet pas edhe në rritjen e prodhimit dhe eksporteve të këtij fruti.
Referuar statistikave të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, konsumi i mollëve në Shqipëri është rritur në shifrat e 26- kg/frymë, kundrejt nivelit 19 kg/frymë që regjistron konsumi i mollës në Bashkimin Europian.
Molla është një nga drurët frutorë më të rëndësishëm në vendin tonë si në volum, ashtu dhe në vlerë.
Sipas statistikave këtë vit në Shqipëri prodhimi i mollës u rrit në 125.927 tonë, kundrejt 105.933 tonëve që shënonte prodhimi i përgjithshëm i kësaj kulture vitin e kaluar.
Kërkesa për kultivimin e mollëve dhe mbështetja me skema subvencionuese ka rritur ndjeshëm prodhimin vendas, çka ka ndikuar edhe në përmirësimin e bilancit të eksport/importit të mollëve.
Vlen të theksohet fakti se krahasuar me një vit më parë u eksportuan mbi 20 mijë tonë mollë, kundrejt 13.765 tonë eksporte në vitin 2021. Ndërsa importi i mollëve u ul ndjeshëm në 7 tonë mollë.
Prodhimi i mollës është shtrirë pothuaj në në të gjitha krahinat e vendit, teksa kryeson me prodhimin më të lartë të mollëve Rajoni Korçës dhe ai i Dibrës, që zënë rreth 70% të prodhimit total të mollëve në shkallë vendi.
Varietetet që prodhohen më së shumti në Shqipëri janë dy derivatet e Red Chief dhe Starking që përbëjnë 52% të pemëve drurëve frutorë, dhe Golden Delicious që përbëjnë 42%.
Varietetet e tjera të mollëve përbëjnë 6% të pemëve të tjera frutore. Këtu përfshihen dhe lloje të tjera, që nuk janë të varieteteve tradicionale rritur në rajon, si “Gala”, “Mutsu” dhe “Granny Smith”.
Aktualisht prodhimi i mollëve mbulon mbi 90% të nevojave të konsumatorit vendas dhe vitet e fundit prodhimi i bollshëm i kësaj kulture po kalon si lëndë e parë edhe në industrinë agropërpunuese, apo atë tradicionale, ku vend të rëndësishëm zënë kompostot, reçeli i mollës, molla e thatë e paketuar, rakia e mollës, etj.
Zhvillimi i frutikulturës është kthyer në trend për fermerët, të cilët po kërkojnë të përshtatin standarde të reja të ruajtjes dhe tregimit gjithë vjetor të këtij fruti.
Për këtë qëllim Programi i Zhvillimit të Qëndrueshëm Rural (SRD) i zbatuar nga GIZ në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, i financuar nga Qeveria Gjermane, po punon me operatorët grumbullues frigoriferik të mollëve si dhe me eksportuesit e mollëve, për sjell modelet bashkëkohore dhe tendencat e fundit bashkë me përvojat e reja në ruajtjen e mollës në frigorifer, që garantojnë ruajtjen e cilësisë dhe eksport të mollës./atsh/
80 vjeçari i zhdukur: Ende asnjë gjurmë nga Alush Kastrati
Ushtria izraelite nis sulme të reja ndaj Iranit
Atletico Madrid me ‘një këmbë’ në çerekfinale, t...
Inflacioni në Kosovë shkon në 6% në krahasim me një vit më p...
Barcelona shpëton nga humbja falë një penalltie në minutat e...
Bayern e demolon Atalantan në Bergamo, ia shënon gjashtë gol...