Rinis shkolla në Donetsk, rajoni i pushtuar i Ukrainës, mësim me tekste ruse

18:12 | 27 Gusht 2022
E.H

Shkollat dhe mësuesit në Donjeckun e kontrolluar nga rusët po përgatiten për nisjen e sezonit të ri shkollor, duke u bazuar në një program rus dhe libra me tekste ruse.

Ngarkesat me librat në fjalë kanë mbërritur tashmë në shkollat e rajonit lindor të Ukrainës dhe në Mariupolin po ashtu të pushtuar.

“Ne po furnizojmë me libra shkollat e Republikës sonë, për të gjitha klasat, nga e para tek e 11-a. Kemi histori, rusisht, letërsi, gjeografi. Shpresojmë që fëmijët të studiojnë tekstet e duhura dhe të marrin dijet e nevojshme”, u shpreh Vitaliy Khotsenko, kryeministër i Republikës së Vetëshpallur të Donetskut.

Larisa Volodjuk, përgjegjëse e bibliotekës në një shkollë të Mariupolit, thekson se në rafte nuk ka mbetur asnjë libër ukrainas dhe se ata rusë janë më të mirë.

“Së pari, të gjithë librat tani janë rusisht. Nuk ka më libra ukrainas në rafte dhe nuk do të ketë më. Gjithashtu, të gjithë librat janë edicione të reja, të vitit 2022. Ndaj, tekstet janë tërësisht të rinovuara”, tha Larisa Volodyuk.

Në Mariupol, shumë shkolla janë dëmtuar nga bombardimet. Rikonstruksioni po ecën me shpejtësi, por jo të gjithë fëmijët do të jenë gati për sezonin e ri.

Kjo, pasi në qytet nuk ka mjaftueshëm mësues. Autoritetet planifikojnë të sjellin profesorë nga Rusia./euronews.al/

Shpërndaje në rrjete sociale