Betim Kastrati u gjet i pajetë brenda makinës|Kolegët të shokuar nuk e besojnë versionin e policisë

07:33 | 7 Prill 2022
S D

Një 38-vjeçar banues në Tiranë u gjet i pajetë brenda makinës së tij në Fier, në rrethana ende të pasqaruara mirë, ndërsa Policia lokale tha se bëhet fjalë për një vetëvrasje.

Betim Kastrati, babai i dy fëmijëve, u gjet i vdekur në automjetin e tij tip “Volvo”, me targa “AB 550 AI”, ndërsa në kokë kishte një plagë të shkaktuar nga arma e zjarrit e llojit pistoletë.

Automjeti që drejtonte ishte parkuar në mënyrë të rregullt anës rrugës. Policia e Fierit e konsideroi ngjarjen si vetëvrasje dhe se kjo kishte ardhur nga arsyet e depresionit.

“Në aksin rrugor Fier-Lushnjë, në afërsi të rrethrrotullimit të Kolonjës, në një xhep rruge, brenda në automjetin tip ‘Volvo’, i parkuar në mënyrë të rregullt, është gjetur i pajetë shtetasi B. K., 38 vjeç, banues në Durrës.

Nga tërësia e veprimeve paraprake të kryera dhe provat e gjetura në vendngjarje, dyshohet se shtetasi B. K., si pasojë e depresionit, është vetëvrarë me armë zjarri pistoletë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale”, thuhet në reagimin zyrtar.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Versioni i Policisë për vetëvrasjen e 38-vjeçarit duket i pabesueshëm për kolegët e tij, të cilët kanë deklaruar se Kastrati, me origjinë nga Hasi dhe banues në zonën e Valiasit në Tiranë, nuk kishte shfaqur probleme që mund të çonin në vetëvrasjen e tij. Ata shprehen të shokuar për ngjarjen e rëndë në familjen Kastrati.

Shpërndaje në rrjete sociale