Projektrezoluta e LDK-së kundër abuzimeve të çmimeve në treg nuk është hedhur në votim sot për shkak të mungesës të deputetëve nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje në sallë.
Qeveria e Kosovës po reagon me vonesë dhe pa takt ndaj krizave, me të cilat së fundi po përballet Kosova, qoftë atë energjetike, apo tani me atë të rritjes së çmimeve, tha deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, teksa prezantoi temën për të cilën u thirr seanca e jashtëzakonshme parlamentare të martën.
“Rritja e çmimeve është bërë pandemi e dytë. Nuk ka produkt të cilit nuk i ka lëvizur çmimi. Inflacioni mbetet një nga kërcënimet kryesore të rimëkëmbjes së shpejt dhe të rënies së fuqisë blerëse për qytetarët tanë”, tha deputetja Bajrami.
Partitë opozitare: Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë thirrur seancën e jashtëzakonshme parlamentare për rritjen e çmimeve.
Ata kanë propozuar miratimin e një rezolute, mirëpo diçka e tillë nuk ka ndodhur për shkak të mungesës së kuorumit.
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj, tha se për shkak të mungesës së deputetëve, seanca vazhdon më 16 mars. Në seancë kanë munguar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Rezolutat e miratuara nga Kuvendi nuk janë detyruese, por pasqyrojnë vullnetin politik.
Deputetja Bajrami tha se Qeveria e Kosovës ka shkelur Kushtetutën, duke ndërhyrë në tregun e lirë, me qëllim që të zbusë ndikimin e rritjes së çmimeve.
“Duhet të menaxhoni me kriza të tilla. Me ndërhyrjet tuaja po shkaktoni dëme – ekonomisë dhe qytetarëve, duke maksimalizuar dëmet”, tha ajo.
Ndërkaq, ajo përmendi rritjen e çmimeve të karburanteve dhe të vajit. Te rasti i fundit, ajo pranoi se disa kompani e kanë keqpërdorur situatën, por tha se ekzekutivi nuk duhet ta godasë të gjithë sektorin privat.
“Ngritja e çmimit të karburanteve ndikoi që brenda disa ditësh të kemi ngritje eksponenciale për shumë artikuj që janë esencial për jetën e qytetarëve. Sa i përket rritjes së çmimeve të karburanteve, disa vende hoqën apo zvogëluan akcizën, bashkë me të edhe Tatimin mbi Vlerën e Shtuar për t’u dalë sadopak në ndihmë qytetarëve. Qeveria jonë nuk bëri asgjë. Qeveria e mori një vendim për marzhën e kufizimit të përfitimit për naftëtarët 4 dhe 6 për qind”, tha Bajrami.
Bajrami kritikoi edhe reagimin e Qeverisë për krizën energjetike dhe tha se këtë muaj do të ndihet pesha e rritjes së tarifave të energjisë elektrike dhe e ftoi që të marrë praktikat e shteteve në rajon që qytetarët ta tejkalojnë më lehtë krizën me energjinë dhe rritjen e çmimeve./REL/
Arrestohet i afërmi i Fetah Paqarizit, dyshohet për presion ...
YIHR: Ligjërata për Specialen në “Xhevdet Dodë” u mbajt me l...
Mbeturinat pushtojnë rrugën ‘Goleška’ në Graçanicë – banorët...
Organizata që e organizoi ligjëratën rreth Speciales thotë s...
Tottenhami synon transferimin befasues të yllit të Liverpool...
TikTok-u e finalizon marrëveshjen për të shmangur mbylljen n...