Kapën 83.5 kg heroinë në Han të Elezit, arrestohen 7 persona të dyshuar

21:10 | 23 Shkurt 2022
Gita

Policia në bashkëpunim me Prokurorinë dhe Doganën e Kosovës kanë sekuestruar rreth 83, 5 kg heroinë dhe kanë arrestuar 7 persona, ndërsa dy prej tyre janë në kërkim.

Bëhet e ditur se droga është zënë sot në Terminalin Doganor të Hanit të Elezit, e cila ishte e fshehur në pajisje për ndriçim në 160 paketime, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj Shukri Jashari, në një konferencë për media të mërkurën mbrëma tha se kjo ngarkesë ishte nisur nga Turqia.

“Kjo ngarkesë më substanca narkotike është ngarkuar në Turqi, destinacion ka pasur Prishtinën, gjatë kontrollës së Doganës së Kosovës është dyshuar se në automjetin transportues të mallrave të ndryshme kanë qenë edhe 32 reflektor ku në të kanë qenë të paketuara nga pesë qese substanca të dyshuara narkotike të llojit heroinë, gjithsej 160 paketime. I njëjti mall është sekuestruar nga ana e Policisë, është sekuestruar edhe një automjet, një veturë Rangover, janë duke u zhvilluar edhe disa bastisje janë arrestuar 7 persona dhe dy janë në kërkim”, ka thënë Jashari.

Tutje, ai tha se me vendim të prokurorit janë ndaluar për 48 orë për veprën penale “blerja, posedimi shpërndarja dhe shitja e pa autorizuar e narkotikeve.

Kurse, Reshat Murseli nga Drejtoria e Antidrogës në Policinë e Kosovës, ka shtuar se në këtë aksion është involvuar edhe autokrimet dhe njësinë e hetimeve financiare.

“Kemi gjetur sasinë e cila përafërsisht arrin në 83,5 kg. Hetuesit policor më pas kanë marrë veprime në terren në bashkëpunim me kryeprokurorin dhe kemi vazhduar në bastisjen në Prishtinë dhe Pejë. Deri më tani janë 7 persona të ndaluar të ndaluar për 48 orë dhe dy persona se paku janë në kërkim. Janë konfiskuar 2 vetura dhe kemi involvuar edhe autokrimet dhe njësinë e hetimeve financiare”, ka thënë ai.