Vdekja e katër rusëve në Shqipëri, prokuroria refuzon t’i japë aktet hetimore ambasadës ruse

16:16 | 31 Tetor 2021
F.T

Prokuroria e Kavajës ka refuzuar një kërkesë të Ambasadës Ruse në Tiranë, për tu pajisur me aktet hetimore të dosjes, që bën fjalë për vdekjen misterioze të 4 shtetasve Ruse në një hotel në Qerret.

Zyra diplomatike ka kërkuar që të njihet me dosjen e plotë dhe veprimet e prokurorëve shqiptarë.

Por kjo kërkesë për dhënien e akteve hetimore në këtë fazë ku ndodhet hetimi, është refuzuar nga prokurorët shqiptarë.
Kjo pasi ligji procedurial penal shqiptar, nuk parashikon dhënien e akteve hetimore palëve të interesuara në fazën kur çështja është në hetim e sipër.

“Ora News”, mëson se rusëve u është dhënë një informacion i shkurtër dhe i përgjithshëm mbi ngjarjen, ku humbën jetën katër anëtarët e familjes ruse, Nataliia dhe Sergei Burenkov, Ekaterina Burenkova dhe i fejuari i kësaj të fundit, Nikita Belousov.

Me një informacion të hollësishëm është njohur dhe zyra e Prokurorit të Përgjithshëm në Tiranë, e cila ka kërkuar që të njihet në mënyrë shteruese me ngjarjen në fjalë që tronditi vendin.

Dyshimet e para dhe që vijojnë të mbetet ende në fuqi janë se katër shtetasit Rusë, janë asfiksuar nga klori, por ende nuk është përcaktuar plotësisht me saktësi dhe në mënyrë shkencore ky rezultat.

Rezultatet e analizave pritet të hedhin dritë mbi këtë ngjarje, ndërsa nga ana e policisë dhe prokurorisë, nuk është ndaluar asnjë person i dyshimtë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme