Sveçla: Në momentin që organet policore vlerësojnë, mund të ndërmarrin edhe hapa të tjerë

13:08 | 28 Shtator 2021
Përparim Bublaku

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se situata në veri është e qetë dhe se më ndihmën e ndërkombëtarëve do të tejkalohet.

“Policia është e aftë që të sigurojë zbatimin e ligjit, në momentin që organet policore vlerësojnë mund të ndërmarrin edhe hapa të tjerë”, deklaroi Sveçla në një konferencë për medie, shkruan arbresh.info.

Ai këto komente i ka bërë i pyetur nga arbresh.info lidhur me vendosjen e KFOR-it në Jarinjë e Bërnjak dhe tërheqjen e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës.

“Situata në veri është e qetë dhe e kontrolluar dhe me ndihmën partnereve tanë ndërkombëtarë do ta tejkalojmë me lehtësi”, tha Sveçla pas takimit me homologun nga Austria.

Rrugët afër pikave kufitare në Jarinjë e Bërnjak, janë bllokuar që 9 ditë nga serbët lokal, si shenjë proteste ndaj vendimit të Qeverisë për vendosjen e reciprocitetit për targat.

KFOR-i nga e hëna ka filluar me patrullimet në këto dy pika, dhe komandanti i saj ka takuar kryeministrin, Albin Kurti dhe kryetarë te komunave në veri, për gjetur një zgjidhje./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale