Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se BE-ja nuk do të tolerojë mohimin e gjenocidit dhe përpjekjet për të rishikuar historinë.
Duke folur të martën për gjenocidin në Srebrenicë, Borrell tha se, 26 vjet pas, kjo datë i kujton të gjithë për domosdoshmërinë e pajtimit jo vetëm në Bosnje dhe Hercegovinë, por në të gjithë Ballkanin Perëndimor.
“Gjenocidi i Srebrenicës është i njohur ndërkombëtarisht. Është një nga ngjarjet më të errëta në historinë moderne evropiane. Është në ndërgjegjen kolektive të atyre që morën pjesë në të dhe të atyre që nuk e parandaluan atë”.
“Të jem i qartë: përpjekjet për të rishikuar historinë, për mohim të gjenocidit dhe madhërim të kriminelëve të luftës, nuk kanë vend në Evropë. Ato duhet të ndalen dhe ju siguroj se nuk do të tolerohen”, tha Borrell, njofton REL.
Ai i bëri këto komente pas takimit të Këshillit të Stabilizim-Asociimit të BE-së me Bosnje e Hercegovinën.
Borrell po ashtu tha se Bosnja nuk ka bërë përparim të mjaftueshëm në procesin e reformave dhe u bëri thirrje udhëheqësve të këtij vendi, që t’i plotësojnë kushtet për përparim drejt integrimit në BE.
Më 11 korrik, Bosnje e Hercegovina shënoi 26-vjetorin e masakrës së Srebrenicës, në të cilën forcat serbe vranë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë.
Masakra u njoh si gjenocid nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.
Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut kanë të miratuara rezoluta që e dënojnë gjenocidin në Srebrenicë.
Shqipëria nuk e ka të miratuar një dokument të tillë.
Në Parlamentin e Serbisë janë dy rezoluta – në njërën kërkohet që Srebrenica të dënohet si krim, kurse në tjetrën si gjenocid – por diskutimi për to nuk është futur ende në rend të ditës.
A u rregullua raporti Alba dhe Benita pasi që Benita i kërko...
Moti sot kryesisht me vranësira
Sot tërhiqet shorti për renditjen e partive në fletëvotimin ...
Mungesë banesash në Zvicër: Një apartament 60-vjeçar ofrohet...
Varka me 20 emigrantë fundoset pranë bregdetit jugor të Kret...
Serbi: Familjet shqiptare kërkojnë drejtësi për të zhdukurit