“Marrëveshja e Thaçit me NATO-n ka mund të shfuqizohet pa pasur nevojë të dërgohet në Prokurori”

08:05 | 28 Maj 2021
A Z

Njohës të çështjeve të drejtësisë dhe sigurisë e vlerësojnë si të panevojshme dërgimin e marrëveshjes së ish-kryeministrit Hashim Thaçi me NATO-n në Prokurori, nga ana e shefit aktual të Qeverisë, Albin Kurti.

Ata, pohojnë se nëse vërtetë konsiderohet e dëmshme marrëveshja e Thaçit dhe NATO-së, me të cilën marrëveshje i ndalohet Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) shkuarja në veri të Mitrovicës,  Kurti ka pasur mundësi të ndërmerrte masa të tjera, pa përfshirë organet e hetuesisë, shkruan arbresh.info.

Po ashtu, dërgimi i kësaj marrëveshje në Prokurori po konsiderohet më shumë si karakter politik, sesa penal.

Kështu të paktën vlerëson Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj.

Sipas tij, me apo pa këtë marrëveshje KFOR-i e ka autoritetin e plotë në gjithë territorin e Kosovës.

Miftaraj: Me apo pa marrëveshje, KFOR ka autoritet fuqiplotë në tërë territorin e Kosovës

“NATO përmes KFOR është përgjegjës për sigurinë territoriale dhe ruajtjen e paqes në Kosovë, në bazë të mandatit që ka marr nga Këshilli i Sigurimit të OKB. Rrjedhimisht, me apo pa një marrëveshje të tillë, KFOR në Kosovë ka autoritet fuqiplotë në tërë territorin e Kosovës” shprehet Miftaraj.

Ai thotë se çështja e kësaj marrëveshje më shumë ka karakter politik sesa penal.

“Në aspektin penal dyshoj se mund të ketë çfarëdo lloj përgjegjësie penale në këtë rast, sikurse debati publik lidhur me këtë çështje më shumë ka karakter politik për përdorim të brendshëm sesa që mund të prodhoj ndonjë efekt juridik”, thotë ai.

Madje, Miftaraj pohon se nëse kryeministri Kurti e vlerëson të dëmshme këtë marrëveshje, ka mundur t’i kërkojë NATO-s të tërhiqet përmes një shkrese të vetme.

“Në fund të fundit, nëse Kryeministri Kurti e vlerëson këtë marrëveshje të dëmshme, ka të drejtën që më një shkresë të njoftoj NATO se tërhiqet nga e njëjta. E për çka dyshoj se i njëjti do të shfrytëzoj këtë të drejtë ndonjëherë, e që në kuptim të raporteve Kosovë-NATO është mirë që nuk do të ndërmerr një vendim të tillë”, pohon Miftaraj.

Pothuajse të njëjtin vlerësim e ka edhe njohësi i çështjeve të sigurisë në vend, Drizan Shala.

Ai për arbresh.info pohon se Kurti ka të drejtë të dërgojë këtë marrëveshje për hetim, por jo në Prokurori, por në Gjykatën Kushtetuese.

Shala: Kosova pa prezencën e NATO-s është më shumë se e rrezikuar

“Po ka të drejtë ta dërgon për hetim, por jo në prokurori por në Gjykatën Kushtetuese. Aty do të  gjykohej a është antikushtetuese kjo marrëveshje apo jo. Nëse po, nënshkruesi varësisht nga pesha e gabimit dërgohet pastaj në prokurori”, pohon Shala.

Edhe Shala thotë se nëse kjo marrëveshje do ishte antikushtetuese, Kurti do të mund ta shfuqizonte duke e njoftuar NATO-n.

“Ne këtë raste hipotekishte, nëse marrëveshja është antikushtetuese, Kryeministri i  tanishëm duhet ta shfuqizoje duke njoftuar NATO përmes një shkrese”, thotë ai .

Sipas Shalës dërgimi i kësaj marrëveshje në Prokuror është një mesazh negativ nga ana e shtetit të Kosovës karshi atyre që mbrojtën dhe po vazhdojnë ta mbrojnë atë.

“Ajo marrëveshje nuk është antikushtetuese dhe nuk është antiligjore sipas mendimit tim. Pasur parasysh mandatin e NATO përmes rezolutës 1224. Konsideroje se është tepër gabim nga ana jonë veprimi lidhur me këtë si Kosovë. Mesazh tepër negative për ata që mbrojtën dhe janë duke mbrojtur Kosovën ende”, shprehet Shala.

Ndryshe, Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti, me 20 shkurt 2020 publikoi një letër me të cilën pretendonte se Hashim Thaçi në vitin 2013 në cilësinë e shefit të Qeverisë së Kosovës kishte bërë marrëveshje sekrete me NATO-n, që Fora e Sigurisë së Kosovës (FSK) të mos hyjë në veri të Mitrovicës, zonë kjo e banuar me shumicë serbe.

Kjo marrëveshje u bë publike nga kryeministri i tanishëm, Albin Kurti menjëherë pas ardhjes së tij në pushtet në shkurt të vitit 2020. Ndërkohë vlen të theksohet se që nga përfundimi i luftës në vitin 1999, Kosova nuk ka pasur kurrë kontroll të plotë në Veri. Derisa trupat e KFOR-it dhe Policia e Kosovës ishin prezentë atje, Ushtria e Kosovës nuk ka shkelur asnjëherë në atë pjesë./Arditë Shkodra/arbresh.info/

Të ngjashme