Rrëfime të trajtimit çnjerëzor deri në vdekje që bënte policia serbe në Burgun e Prishtinës

13:05 | 18 Prill 2021
A Z

Kurrë nuk e kishte menduar se do ta hapte vet këtë derë.

Burgu i Prishtinës i ndërtuar në fund të të dyzetave, që ndodhet në rrugën “Luan Haradinaj”, në qendër të qytetit, është objekt historik ku shumë figura të rëndësishme të vendit tonë janë burgosur e persekutuar politikisht.

Këtu të burgosurit u trajtuan në mënyrë çnjerëzore duke u torturar me metoda më mizore duke përdorur dhunë të shoqëruar me shufra hekuri, kabllo të rrymës, me elektroshok e me mjete narkotike.

Ndër ta është edhe Emin Sallahu i cili në vitin 1997 u burgos për aktivitete politike dhe u mbajt disa ditë në këtë burg.

Por, sot Sallahu ka çelësat e burgut dhe si një historian tregon se si ka funksionuar Burgu i Prishtinës që nga viti 1945.

Të ndryshuara ndër vite, qelitë në Burgun e Prishtinës fillimisht ishin në kushte shumë të mjerueshme. Nuk kishte shtretër e as tualet.

E kjo ka qenë një dhomë e veçantë, në të cilën, të burgosurit janë trajtuar në mënyrë çnjerëzore dhe kanë qenë nën mbikëqyrjen e organeve.

“I burgosuri ka pas kushte jashtëzakonisht të vështira këtu. Trajtimi ka qenë çnjerëzor. Ka pas rast kur edhe kanë pësu me vdekje. Deri në vitet e 90 nuk ka pas as shtretër”, tha Sallahu.

Në burgun e Prishtinës nuk kanë lënë pa kaluar edhe veprimtarë të shquar të cilët u burgosen politikisht si Adem Demaçi, Ukshin Hoti, Fazli Garjqevci.

Të burgosurit kanë pas të drejt të shfrytëzojnë edhe dy shëtitore që ndodheshin aty.

E në këtë burg ka pas edhe arratisje. Dy të burgosur organizuan arratisjen, por vetëm njëri ia doli të ikte.

Të burgosurit kanë pas kushte të vështira për tu pastruar. Pavarësisht temperaturave jashtë, ata janë pastruar në banjo të improvizuara në oborr të burgut.

I burgosur në Burgun e Prishtinës ishte edhe Emin Sallahu i cili tregon se në çfarë kushtesh ishte mbajtur në këtë dhomë.

Të burgosurit nuk kanë shpëtuar pa përjetuar edhe tortura nga më të rëndat. Kur binte zilja e telefonit që ishte në dhomën e gardianëve, dëgjohej edhe në qelit e të burgosurve të cilët prisnin se kë do të marrin.

Ishte dhoma e  sigurimit shtetëror ku janë ushtruar tortura me orë të tëra.

VOX: “Torturat kanë qenë më të ndryshme. Të burgosurit përpos që janë marr në pyetje u është ushtruare dhunë fizike si me shufra, kablla të rrymës, me elektroshok, me mjete narkotike. Torturat kanë qenë çnjerëzorë”, tha Sallahu.

Me 12 qershor të vitit 2020, ky burg u shpall muze dhe me rekomandimet e të burgosurve dhe Ministrisë së Kulturës pritet që shumë shpejt të bëhet edhe restaurimi i objektit dhe të hapet si muze për vizitorë./M.Avdimetaj/arbresh.info/