Presidenti Ilir Meta kërkon nga qeveria që të shpallë gjendjen e fatkeqësisë natyrore në zonat e përmbytura në Shkodër.
Në një postim në Facebook, kreu i shtetit shprehet se situata po shkon drejt ekstremeve të paparashikuara.
Ilir Meta thotë se është informuar në detaje nga kryebashkiakja Voltana Ademi për situatën, ndërsa i kërkon qeverisë që qytetarët e Shkodrës të mos i lërë në mëshirë të fatit.
Postimi i plotë:
QEVERIA TË SHPALLË GJENDJEN E FATKEQËSISË NATYRORE NË ZONAT E PËRMBYTYRA NË SHKODËR!
Situata e përmbytjeve në Qarkun e Shkodrës, si pasojë e reshjeve intensive dhe shkrirjes së dëborës në basenet e lumnjëve Drin dhe Buna, po shkon drejt ekstremeve të paparashikuara.
Liqeni i Shkodrës, që ka shkuar në kuota maksimale ka përmbytur tashmë lagjet periferike të qytetit të Shkodrës, ku niveli i ujit raportohet të jetë 40-50 cm.
Në pak ditë, sipërfaqja e tokës nën ujë nga 1540 hektar është rritur në rreth 4000 ha dhe sipas paralajmërimeve të sotme të Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit pritet zgjerim i zonave të përmbytura, veçanërisht në NënShkodër dhe afër Liqenit të Shkodrës.
Alarmi i dhënë dhe situata në terren është shumë serioze dhe kërkon vëmendjen e veçantë të Qeverisë dhe pushtetit vendor, që pa vonesa të mëtejshme duhet të marrin të gjitha masat efektive për evakuimin e familjeve të rrezikuara nga uji, si dhe të bagëtive, që priten të izolohen.
Sot bisedova edhe me Kryetaren e Bashkisë së Shkodrës, znj.Voltana Ademi, e cila më informoi në detaje për gjendjen e rënduar dhe shqetësimin e drejtë të saj për përkeqësimin e mundshëm të situatës, që kërkon një ndërhyrje të menjëhershme nga ana e autoriteteve shtetërore përgjegjëse.
Duke i garantuar të gjithë mbështetjen institucionale, kërkova prej saj, që Bashkia e Shkodrës të jetë në lartësinë e përmbushjes me përgjegjshmëri të detyrave në këtë situatë tepër të rënduar dhe të ketë në fokus kryesor shëndetin dhe jetën e banorëve.
Duke vlerësuar me përgjegjësi maksimale gjendjen e raportuar i bëj thirrje Qeverisë të shpallë urgjentisht “Gjendjen e Fatkeqësisë Natyrore” në zonat e përmbytura, me qëllim menaxhimin më të mirë të situatës operacionale, për t’u ardhur në ndihmë të gjitha familjeve në nevojë dhe për të patur prioritet absolut mbrojtjen e jetës së çdo qytetari dhe minimizimin e pasojave në pronat dhe pasuritë e tyre.
Përsëris thirrjen drejtuar Qeverisë për të vlerësuar me shumë përgjegjësi paralajmërimet e IGJEUM dhe për të mos i lënë në mëshirë të fatit banorët e Shkodrës, të cilët meritojnë të trajtohen me dinjitet dhe të kenë të gjithë vëmendjen dhe ndihmën e shtetit, veçanërisht në këtë periudhë tepër të vështirë, të rënduar edhe për shkak të pandemisë COVID-19.
Linjë ajrore Shqipëri – Kanada, Qeveria shqiptare firmos ven...
Fonsesca: Ligue 1 është një nga ligat më të mira në Evropë
BE merr vendimin, do të ngrijë për një kohë të pacaktuar ase...
Këto janë dy viktimat nga aksidenti tragjik në “Ibrahim Rugo...
Mjegulla mbi rrugët e Kosovës, policia del me një apel për v...
Rusia kundërshton planin e Evropës për t’i dhënë hua Ukrainë...