Aliu: Gecaj në mënyrë jashtëligjore po i jep kohë kryetarit Svarqa

15:49 | 11 Nëntor 2015
M. A.

Dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Ferizaj, po konsideron se zëvendësministri i Ministrisë së Pushtetit Lokal të Kosovës, Bajram Gecaj me qëllim po e vonon përgjigjen ndaj kërkesës së këtij subjekti për suspendimin apo shkarkimin e kryetarit të Ferizajt, Muharrem Svarqa.

Nënkryetari i degës së PDK-së, Lulëzim Aliu, gjatë një konference për medie i ka bërë me dije numrit dy të kësaj ministrie Gecaj se kjo vonesë po bëhet për të përfituar në kohë me qëllim deformimit të fakteve apo edhe falsifikimit të tyre, me qëllim të shpëtimit nga ndëshkimi i kryetarit të komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa.

“Publikisht i themi zv/ministrit dhe këshilltarit të kryeministrit të Kosovës, zotit Gecaj, që të mos përpiqet kot sepse gjurmët e shkeljeve që ka bërë kryetari Svarqa, janë të thella, aq të shumta,sa nuk mund t’i fshehin dot”, ka thënë Aliu.

Sipas nënkryetarit të degës së PDK-së, Lulëzim Aliu, është evidente që ka përpjekje për falsifikim faktesh dhe këtë më së miri e dëshmon edhe vet kryetari i komunës, i cili para disa ditësh publikisht deklaroi se me kohë e ka dorëzuar propozim buxhetin për vitin 2016, gjë që sipas tij nuk qëndron.

“Unë po ua sjell këtu , si dëshmi dy deklarimet e tij për këtë çështje, njëra para Kuvendit të Komunës dhe tjetra në një debat televiziv. Mirëpo edhe po ta pranonim si të vërtetë falsifikimin e dorëzimit të buxhetit, të bëra nga kryetari, prapëseprapë vet buxheti si dokument ka qenë i paligjshëm, ka qenë dokument fals, pasi që baza e projektimit të tij ka qenë joligjore , dmth fals”, ka thënë Aliu

Për më tepër të gjitha këto argumentime sipas Aliut gjinden edhe në qarkoren buxhetore 01, 02 dhe 03 të lëshuar nga Ministria e Financave, të cilat së paku vërtetojnë dy prej shumë pretendimeve për shkelje të ligjit nga ana e kryetarit.

Ndryshe, për PDK-në e Ferizajt, muaji tetor ka qenë muaji i pritjes së përgjigjes zyrtare nga Ministria e Pushtetit dhe Administrimit Lokal lidhur me pretendimet se kryetari i Ferizajt, Muharrem Svarqa, i ka plotësuar kushtet që të ndëshkohet nga Qeveria e Kosovës me masën e suspendimit apo të shkarkimit. Ndonëse kanë kaluar 42 ditë nga pritja, ky subjekt po konsideron se zv/ministri Bajram Gecaj, po e vonon këtë përgjigje duke i dhënë kohë kryetarit Svarqa, për deformimin e fakteve, ndonëse është i vetëdijshëm se me këtë po bënë shkelje ligjore.

Shpërndaje në rrjete sociale