KRU “Prishtina” kërkon ndihmë urgjente nga Qeveria

11:04 | 24 Mars 2020
M. A.

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka kërkuar ndihmë urgjente nga Qeveria e Kosovës për shkak të ndalimit të operimit të kësaj kompanie në terren si pasojë e vendosjes së orës policore.

Në njoftimin lëshuar për media nga kjo kompani kërkohet nga Qeveria e Kosovës që të lëshojë leje speciale për këtë kompani e ku u mundësohet edhe operimi në terren.

“Duke e përcjellë me vëmendje situatën e krijuar së fundmi, konkretisht Vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për ndalimin e lëvizjes së lirë dhe qarkullimit, KRU” Prishtina” si kompani e ofrimit të shërbimeve për ujë dhe kanalizim u bën thirrje institucioneve për ndihmë në këtë drejtim ngase rrezikohet operimi në teren, në 8 komunat e zonës së shërbimit, kur dihet se qytetarët tashmë kanë nevojë më së shumti për ujë.

Rrezik përbën pëlcitja e tubacioneve primare dhe sekondare dhe po ashtu pusetat e kanalizimit, që realisht kohën e fundit kanë qenë të shumta.

Kërkojmë nga Qeveria e Kosovës dhe dikasteret përkatëse të na dalin në ndihmë me urgjencë për pajisjen me leje speciale karshi operimit të ndërmarrjes sepse na pamundësohet furnizimi me ujë të pijshëm.”, thuhet në njoftimin e kësaj kompanie.

Shpërndaje në rrjete sociale