As gjendja e krijuar nga pandemia Corona – 19, nuk po e ndalon LDK-në që të vazhdoj insistimin për ta rrëzuar kryeministrin aktual, Albin Kurti.
Madje kryeparlamentarja, Vjosa Osmani ka ftuar nesër kryesinë e Kuvendit për takim, teksa është në pritje të opinionit nga IKShPK-ja nëse ekziston mundësia që të mbahet seanca për shkarkimin e Kurtit, apo jo.
Më 24 mars, nesër në orën 14:00 do të mblidhet kryesia e Kuvendit të Kosovës, për të caktuar seancën e jashtëzakonshme për rrëzimin e Qeverisë “Kurti”. Kjo pasi që kryeparlamentarja, Vjosa Osmani të marr opinionin profesional nga Instituti Kombëtar për Shëndetin Publik, nëse mundet ose jo Kuvendi të mbaj seancën, ku do të kërkohet rrëzimi i Qeverisë aktuale. E teksa Osmani është në pritje të këtij opinioni, njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se rrëzimi i Qeverisë nuk duhet të jetë prioritet i partive politike, në kohën kur vendi po përballet me një pandemi botërore siç është Covid – 19. Ndërkohë në bazë të Kushtetutës së Kosovës, pas dorëzimit të nënshkrimeve, kryesia e Kuvendit ka në dispozicion 5 ditë afat që ta shqyrtoj kërkesën dhe ta caktoj seancën për rrëzimin e Qeverisë. Në anën tjetër analistët për “Zërin” thonë se aktualisht në tavolinë mbeten tre skenar të mundshëm për zgjidhjen e kësaj krize politike.
Skenari i parë është krijimi i një Qeverie teknike, që do të zgjaste më shumë se 6 muaj, skenari i dytë mund të ndodh nëse mocioni kalon dhe qeveria në dorëheqje do të vazhdonte punën, si në rastin e Qeverisë “Haradinaj”, dhe skenari i tretë parasheh situatën kur presidenti Thaçi e fton Kurtin edhe për një mandat, por për të cilin Kurti nuk i ka votat e nevojshme. Kësisoj sipas tyre, në një situatë të tillë primati do t’i kalonte LDK-së, si parti e dytë, e cila do të mund t’i grumbullonte votat e nevojshme në Kuvend, por që më pastaj do të kishte probleme legjitime në udhëheqjen e saj.
LDK thotë se do ta procedoj në Kuvend mocionin, VV-ja heshtë
Edhe gjatë ditës së sotme, LDK-ja ka ripërsëritur kërkesën për rrëzimin e Qeverisë “Kurti”. Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa, në një konferencë për media deklaroi se mocioni për rrëzimin e Qeverisë Kurti do të vazhdojë në Kuvendin e Kosovës. “Mocioni do të vazhdojë në Kuvendin e Kosovës ky është vendim i kryesisë së LDK-së”, ka thënë Mustafa para mediave.
Ndërkohë LDK ende nuk ka dhënë një datë de kur ky mocion do të hidhen në votim, por dita e mërkurë është afati i fundit kur do të duhej të vihej në votim para deputetëve ky mocion.
Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje vazhdimisht po thekson se seanca e paraparë të mbahet për ta rrëzuar Kurtin është e pamundur të mbahet për shkak të rrezikut nga pandemia që ka kapluar botën, Covid – 19
3 skenarët e mundshëm pas rrëzimit të Qeverisë sipas Alijës
Në anën tjetër, njohësi i rrethanave politike, Rasim Alija për “Zërin” ka thënë se as pandemia Covid – 19, duket se nuk do ta ndaloj rënien e Qeverisë “Kurti”.
Kësisoj sipas tij me insistimin e LDK-së për këtë proces, mbeten edhe pak ditë deri në përfundimin e afatit kushtetues për rrëzimin e Qeverisë. “Nuk besoj që do të pritet të kaloj pandemia Covid-19, për të thirrur seancën për mocionin e mosbesimit për qeverinë Kurti. Nuk ka indikatorë që pandemia do të kalojë shpejtë dhe as indikatorë që LDK do të lëshoj pe në shtyerjen e seancës. Mocioni është dorëzuar të premten e kaluar, dhe që nga ai moment kryesia e kuvendit ka në dispozicion 5 ditë afat që ta shqyrtoj kërkesën dhe ta caktoj seancën. Ky është afat kushtetues, dhe e kundërta do të ishte shkelje e këtij afati”, ka thënë Alija.
Ndërkohë sipas tij aktualisht eksistojnë tri skenarë të cilët mund të ndodhin ditëve në vijim. Një ndër ta është edhe krijimi i një qeverie teknike.
“Në rast kalimi të mocionit në kuvend, pra votimi me 61 vota, janë 3 skenarë që do mund të ndodhnin. I pari është që të kemi një qeveri teknike, që do zgjaste jo më shumë se 6 muaj, që do menaxhonte ballafaqimin me emergjencën e Covid-19, do merrte masat e nevojshme për stabilitetin demokratik të institucioneve, dhe do përgatiste vendin për zgjedhjet e ardhshme. Që të ndodhë ku skenar do duhej edhe pajtimi i LVV, e cila udhëheq me qeverinë. E gjasat që LVV të pajtohet me këtë skenar janë të vogla”, ka thënë Alija.
Kurse skenari i dytë, sipas tij, që ka më shumë gjasa të ndodhë është situata ku do votohej mocioni, qeveria të konsiderohej qeveri në dorëheqje dhe të vazhdonte punën edhe për 4 ose 5 muaj të tjerë deri në caktimin e datës për zgjedhjet e reja.
“Kjo do ishte pak a shumë ripërtëritje e korrikut të vitit të kaluar, ku ish-kryeministri Haradinaj pati dhënë dorëheqje, por pati vazhduar të jetë kryeministër në detyrë edhe për afro 6 muaj të tjerë. I vetmi dallim në këto dy raste, është situata me emergjencën e virusit Covid-19, që mund të ketë impaktin e vet në realizimin e këtij skenari”, ka shtuar ai.
Ndërkohë skenari i tretë sipas tij do të ishte kur mocioni të kaloj, dhe presidenti Thaçi të ftoj Kurtin edhe për një mandat, për të cilin Kurti nuk do të mund t’i siguronte votat. “Ndërsa skenari i tretë, do të ishte situata ku mocioni kalon, qeveria është në dorëheqje, presidenti e fton Kurtin edhe për një mandat të dytë, Kurti nuk arrin ta bëjë shumicën parlamentare, presidenti e fton subjektin e dytë politik, LDK-në, dhe kjo e fundit e bënë shumicën parlamentare së bashku me të gjitha subjektet tjera politike, përjashtuar LVV-në. Ky skenar do të kishte probleme me legjitimitet demokratik, probleme me respektimin e Kushtetutës, do krijonte precedent të rrezikshëm në devijimin e rezultatit zgjedhor dhe stabilitetit demokratik të institucioneve”, ka thënë tutje ai.
A mund të mbahet seanca e Kuvendit për shqyrtimin e mocionit të mosbesimit në situatën aktuale?
Ndërkohë, analisti Blerim Vela, thotë se seanca e Kuvendit të Kosovës ku do të tentohet të rrëzohet Qeveria “Kurti” nuk mund të mbahet në objektet e Kuvendit. Kjo pasi që sipas tij një veprim i tillë nënkupton shkeljen e rekomandimit aktual të IKShPK-së. “Seanca e Kuvendit të Kosovës lidhur me shqyrtimin e mocionit te mosbesimit ndaj qeverisë nuk mund të mbahet në selinë e saj (sallën e seancave plenare) pasi që është drejtpërdrejt në kundërshtim me rekomandimin aktual të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (me 21 mars 2020 IKSHP rekomandoi “qe në mënyrë rigoroze te mbahet distanca sociale për 2 metra nga njëri tjetri”). Ky rekomandim vlen edhe për Kuvendin dhe deputetet. Salla e seancës plenare në selinë e Kuvendit nuk i plotëson kushtet për të qenë në përputhje me rekomandimin e IKSHP-së”, ka thënë Vela, raporton tutje.
Megjithatë, sipas Velës neni 4 i Rregullores së Punës së Kuvendit të Kosovës lejon mbajtjen e takimeve të Kuvendit, duke përfshirë edhe seancën plenare, jashtë selisë së Kuvendit. “Çështja tani është se a mundet Kryesia e Kuvendit dhe administrata e Kuvendit të gjejnë një hapësire, të mbyllur apo të hapur, që plotëson kushtet për pjesëmarrjen e deputeteve, anëtareve të qeverisë, punëtorëve të administratës së Kuvendit dhe mediave. Gjithsesi, rreziku ndaj shëndetit të deputeteve dhe gjithë pjesëmarrësve tjerë nuk mund të mënjanohet 100%, thjeshte sepse nuk ka kapacitete për të siguruar kushte të punës adekuate sipas rekomandimeve të IKSHP-së”ka theksuar tutje ai.
E tërë kjo situatë sipas Velës mund të kalohet lehtësisht nëse deputetet nënshkrues të mocionit të mosbesimit tërhiqen nga i njëjti, deri kur të përfundoj gjendja emergjente e shfaqur pas pandemisë, Covid – 19.
Pacolli shpreh ngushëllime për ndarjen nga jeta të nxënësit ...
E rëndë në Itali, rrëzohet një avion, një i vdekur dhe një i...
Skandaloze, nxënësit e klasës së pestë të shkollës “Ismail Q...
Parashikimi i motit për nesër: Me vranësira dhe intervale me...
“Erdhi pa shenja jete”, QKUK jep detaje rreth vdekjes së nxë...
Balla ngushëllon familjarët e viktimave të aksidentit në Rum...