Jahjaga i bashkohet manifestimit “Ecja kundër kancerit të gjirit”

16:24 | 17 Tetor 2015
M. A.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga edhe këtë vit iu është bashkuar manifestimit “Ecja kundër kancerit të gjirit”, ku ritheksoi se ofrimi i shërbimeve shëndetësore, nga personeli mjekësor i specializuar dhe me pajisje të avancuara për diagnostikim dhe trajtim sipas standardeve më të larta evropiane dhe ndërkombëtare, mbetet synim i institucioneve të vendit.

Jahjaga tha se manifestimi ynë tradicional “Ecja kundër kancerit të gjirit”, po mbledh çdo vit më shumë mbështetës për të ngritur vetëdijen shoqërore mbi këtë sëmundje që prek gratë dhe burrat.

“Sëmundja e kancerit të gjirit mund të prek këdo prej nesh, pavarësisht shtresës shoqërore apo përkatësisë etnike, edhe pse kjo sëmundje është një ndër llojet e kancerit më vdekjeprurës në gra, kjo sëmundje prek edhe burrat. Avancimet në fushën e mjekësisë po e kthejnë sëmundjen e kancerit të gjirit në një sëmundje, e cila mund të shërohet gjithmonë e më shumë, e cila mund të mundet, me vullnetin dhe përkushtimin tuaj, nëse zbulohet herët. Diagnostikimi i hershëm është mundësi për t’u shëruar nga kjo sëmundje, është mundësi për jetë andaj të gjithë ne duhet t’i kushtojmë vëmendjen e duhur”, ka thënë Jahjaga.

Jahjaha shtoi se kontrollet e rregullta mjekësore, vet kontrollet dhe kontrollet në shërbimet e specializuara mjekësore shpëtojnë jetë. Ajo u bëri thirrje t’i kushtohet vëmendjen e duhur shëndetit, duke e kthyer në pjesë të jetës tuaj kujdesin e rregullt mjekësor.

“Përballja me sëmundjen e kancerit nuk është e lehtë, por ju nuk duhet të dorëzoheni në asnjë moment. Kini vullnetin dhe vendosmërinë për të luftuar këtë sëmundje, duajeni jetën, ashtu siç ju duan familjarët tuaj, të cilët ju qëndrojnë afër me përkushtim stoik dhe vendosmëri të palëkundur për të përballur së bashku këtë sëmundje:, ka thënë Jahjaga.

Shpërndaje në rrjete sociale