Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) përmes një komunikate të lëshar për medie, ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me procesin e emërimit të Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) dhe Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë (PTHP), transmeton arbresh.info.
Sipas tyre, ky proces, i menaxhuar tërësisht nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) paraqet tentativën e dytë të KPK-së për emërimin e kryeprokurorit të PSRK-së. Rikujtojmë që konkursi për përzgjedhjen e kryeprokurorit të PSRK-së është zhvilluar në fillim të vitit 2019 dhe i njëjti është anuluar me datën 25 prill 2019, meqenëse është vlerësuar që rregullorja që përcaktonte mënyrën e përzgjedhjes së tij ishte jo-kushtetuese. Prandaj, si rrjedhojë kanë ndodhur ndryshimet legjislative dhe është amandamentuar Rregullorja për Emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe kryeprokurorëve të prokurorive themelore të Republikës së Kosovës.
Rikujtojmë që GLPS, me datë 21 gusht 2019, ka reaguar ndaj miratimit të kësaj rregulloreje meqenëse e njëjta ka vlerësuar që “mënyra e përzgjedhjes së kryeprokurorit të shtetit dhe kryeprokurorëve – siç është përcaktuar me këtë Rregullore të sapo-miratuar – lë hapësire të gjerë abuzimi me kandidaturat, dhe nuk respekton parimin e barazisë para ligjit, sigurisë juridike, meritës së përzgjedhjes dhe kompetencës ekskluzive të KPK-së për të konsideruar dhe refuzuar çdo kandidat që konkurron për një pozitë të tillë në mënyrë shtjerruese; klauzola e konfliktit të interesit dështon që të përfshijë gamën e gjerë të situatave të papërshtatshme që i parashikon Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit”. Kjo ngase, kjo Rregullore si e tillë ka lejuar dhe lejon emërimin e kryeprokurorëve përkatës duke abuzuar me kandidaturat, parimin e barazisë para ligjit etj., dhe për më tepër, kufizon gamën e gjerë të situatave të papërshtatshme që i parashikon Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, fakte që konsiderohet që kanë ndikuar direkt në emërimin e kryeprokurorëve përkatës në PSRK dhe PTHP.
Më saktësisht, GLPS konsideron që mënyra e përzgjedhjes e përcaktuar me rregulloren e lartpërmendur ka qenë jo kushtetuese ngaqë e njëjta nuk ka garantuar parimin e barazisë para ligjit, sigurinë juridike dhe meritën e përzgjedhjes që duhet shoqëruar një proces të tillë. Njëkohësisht, fakti që të dy të emëruarit kanë marrë tërë votat e KPK-së, pa asnjë abstenim dhe asnjë votë kundër, është tregues i një marrëveshje më të gjerë për zgjedhjen e tyre, e jo një proces meritor. Prandaj, GLPS shpreh indinjatën e saj lidhur edhe me këtë proces të politizuar dhe jo meritor./arbresh.info/
Presidentja Osmani takohet me Ministrin e Jashtëm të Vanuatu...
Sa miliona mund t’i kursejë Juventusi, nëse Motta rikthehet ...
Bisedimet ShBA – Iran mbyllen pa marrëveshje, palët shprehin...
Nisin hetimet për manipulime të votave në Ferizaj, Shtime dh...
Kërkohet paraburgim për 22 kryesues në Gjakovë, dyshohen për...
Rama i lumtur për miratimin e buxhetit: Imazh si funksionon ...