Pas tërmetit 6.4 shkallësh që rrafshoi disa banesa në Shqipëri e la të vdekur 52 viktima solidariteti i kosovarëve ndaj vëllezërve nga Shqipëria ishte i paparë.
Por, ky bashkim dhe kjo dashuri mes dy vendeve nuk ndodh edhe në jetën e përditshme. Duke u bazuar në pritjen që u bëhet kosovarëve gjatë pushimeve verore e rasteve tjera, por edhe deklaratat e vetë disa banorëve të Shqipërisë që e kanë pranuar publikisht se nuk i mirëpresin edhe aq mirë kosovarët dëshmon se dashuria nuk është reciproke.
Mirëpo shtrohet pyetja se nga ky humanizëm aq i madh që treguan kosovarët, a do të ndryshojnë sjelljen dhe qasjen shqiptarët e Shqipërisë?
Besnik Krasniqi, gazetar hulumtues nga Kosova duke komentuar situatën e krijuar pas tërmetit në Shqipëri, në një prononcim për portalin arbresh.info ka thënë se “në masën siç e pamë javën e shkuar, shqiptarët bashkohen vetëm në situata fatkeqësish”.
“Shqiptarët vepruan si një trup. Plagët që u hapën në rrethin e Durrësit, normalisht që i ndjemë fort dhe ato mobilizuan gjithë trupin – shqiptarët kudo që jetojnë. Por, fatkeqësisht, në masën siç e pamë javën e shkuar, shqiptarët bashkohen vetëm në situata fatkeqësishë. Kjo për shkak të historisë së trisht që kemi, e së fundmi ekskluzivisht për shkakun e politikave dezintegruese mes nesh. Gati kurrë ne nuk jetuam bashkë, ndërsa tash kur i kemi dy shtete, bëjmë politika të pakuptimta që vejnë barrikada në komunikimin tonë” , tha ai.
Pritshmeritë e Krasniqit janë të mëdha që shqiptarët të krijojnë një marrëdhënie të re dhe të ndërsjellët.
“Shqiptarët e Shqipërisë i kemi parë si kurrë më parë tek shprehin falënderim e mirënjohje për gjestin tonë, dhe kjo flet shumë për marrëdhënien e re të ndërsjellë që pritet ta kemi. Besoj që ky është tregues i pendesës për raportin e më përparshëm. Për afërsinë që na mungonte”.
Mbetet të shpresojmë që ndjenjat e rizgjuara për të vepruar e ecur si një trup, të mos jenë afatshkurtra, thotë ai.
“Të shërbejë ky rast për ta shembur secilën ndasi, qoftë ajo sociale, politike a gjeografike”.
Historiani, Frasher Demaj, thotë se kemi qenë gjithmonë të afërt, por sipas tij fatkeqësitë si këto vetëm se afrojnë më shumë Kosovën dhe Shqipërinë.
“Shqipëria gjatë luftës në Kosovë ka hapur dyert për kosovarët. Këto janë provat të pa kontestueshme që populli shqiptar i Shqipërisë ka pasur një mendim shumë pozitiv një mendim shumë vëllazëror. Dhe tani këtë sot nuk e quaj një kthim të borxhit që po e bëjnë kosovarët për shqiptarët e Shqipërisë. Kjo është gjenetika ky është gjaku dhe dashnia mes një popullit. Ne kemi qenë të afruar, edhe fatkeqësitë e bëjnë punën e tyre dhe ndikojnë këtu shoh edhe zemërgjerësinë e kombit. Nuk është faktor kryesor tragjedia e fundit që shqiptarët të duhen më shumë me njëri tjetrin”, tha ai në një prononcim për portalin arbresh.
Kujtojmë se tërmeti i 26 nëntorit në Shqipëri la 52 persona të vdekur, mbi 600 të lënduar dhe qindra shtëpi të shkatërruara.
Shumë familje nga Shqipëria janë strehuar në Kosovë derisa ata të bëjnë një zgjidhje për banim./arbresh.info/
Procesi i rinumërimit përmbyllet plotësisht në 7 komuna
Osmani me familjen Rugova dhe korin diplomatik homazhe tek v...
Rrahje masive afër Ferizajt/ Dy persona theren me thikë, sht...
Shpend Ahmeti deklarohet i pafajshëm lidhur me akuzën se nuk...
Begaj përkujton 106-vjetorin e Kongresit të Lushnjës: Moment...
50 aksidente trafiku në 24 orët e fundit në Kosovë