Revolucion!

08:25 | 7 Tetor 2019
Arbresh.info

Rezultatet preliminare për zgjedhjet e 6 tetorit sollën një rokadë të paparë politike gjatë ditës së djeshme. Duke ndëshkuar partitë, që për vite të tëra ishin në qeverisje, elektorati ia dha besimin Lëvizjes Vetëvendosje, subjekt ky i cili asnjëherë nuk ka qeverisur me vendin deri më tash, shkruan gazeta “Zëri”.

Zgjedhjet e 6 tetorit sollën ndryshim të rrënjësishëm në skenën politike në Kosovë. Me dalje prej rreth 45 për qind në zgjedhje, qytetarët dje ndëshkuan ashpër partitë të cilat qeverisën me shtetin e Kosovës që nga paslufta. Rrjedhimisht, sovrani përcaktoi si fituese Lëvizjen Vetëvendosje, e cila sipas rezultateve preliminare mori rreth 26 për qind të votave. Menjëherë pas LVV-së u rangua LDK-ja, e cila pavarësisht tentimeve për ta rikthyer primatin e dikurshëm nuk ia doli ta bëjë një gjë të tillë. Ndërkohë, derisa PDK-ja u radhit e treta nga rezultatet preliminare, të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), AAK-ja ngeli e katërta, ndonëse në këto zgjedhje të parakohshme parlamentare garoi në koalicion me PSD-në. Kurse Nisma Socialdemokrate, e cila në zgjedhje u bë bashkë me AKR-në e me PD-në, sipas rezultateve të para nuk ka arritur ta kalojë fare pragun zgjedhor.

Kurti: 6 tetori, entuziazmi i tretë pas çlirimit dhe pavarësisë

Lideri i LVV-së Albin Kurti, i cili në zgjedhjet e tetorit qe kandidat për kryeministër nga ky subjekt, tha se 6 tetori shënoi fillimin e entuziazmit të tretë për vendin tonë.

“Entuziazmi i parë ishte qershori i ’99-s, entuziazmi i dytë shpallja e pavarësisë dhe i treti është entuziazmi i tetorit 2019. Ne kemi humbur shumë kohë për këto 20 vjet, sa mundësi të shpërdoruara, sa shanset shkuan huq, mirëpo tash erdhi dita. Erdhi dita për ju popull i dashur, pa dallim fshati e qyteti, pa dallim gjinie, të gjithë do të jeni të barabartë para ligjit”, deklaroi mbrëmë Kurti.

Meqë LVV-ja doli subjekti i parë i zgjedhjeve, Kurti tha se Vetëvendosja do t’i mbajë dhe do t’i përmbushë premtimet e dhëna. Gjatë fjalimit të tij lideri i LVV-së ndau një falënderim edhe për kritikët e Vetëvendosjes, meqë sulmet e akuzat e kanë kalitur LVV-në.

“Ne kemi pasur shumë pengesa, kemi pasur shumë vështirësi, por ato na kanë kalitur. Jemi më të fortë se kurrë edhe për të gjitha vështirësitë që na presin. Dua të falënderoj edhe ata që na kanë kritikuar, sepse edhe ata na kanë ndihmuar duke na udhëzuar. Edhe ata që na kanë akuzuar e na kanë sulmuar vetëm na kanë kalitur për këtë fitore të madhe”, ka nënvizuar Kurti.

Osmani: Fituesi s’mund të shpallet pa u numëruar të gjitha votat

Teksa ka folur pas rezultateve preliminare, të cilat e radhitën LDK-në si partinë e dytë, kandidatja për kryeministre nga ky subjekt, Vjosa Osmani, tha se ende nuk mund të flitet për rezultate përfundimtare. Megjithëkëtë ajo pohoi se LDK-ja do t’i pranojë rezultatet, çfarëdo qofshin ato.

“Sot nuk mund të shpallet fituesi, sepse duhet të presim deri në numërimin e votës së fundit. Unë dua t’i falënderoj të gjithë. Besoj se deri nesër pas numërimit edhe të votave me kusht dhe të diasporës do ta kemi një rezultat përfundimtar e pastaj do të dalim të flasim. Ne do ta pranojmë vullnetin e sovranit”, ka deklaruar Osmani.

Ajo më tej ka thënë se LDK-ja vetëm me PDK-në nuk bën koalicion paszgjedhor, ndërkohë me partitë e tjera mund të pranojë të diskutojë.

“Vetëm pasi të numërohet edhe vota e fundit, atëherë mund të flasim për koalicionin. Përveç me PDK-në, me parti të tjera mund të bisedojmë”, ka theksuar nënkryetarja e LDK-së.

Veseli: PDK-ja do të kalojë në opozitë

Pas rezultatit aspak të favorshëm që pranoi dje PDK-ja, ka reaguar kryetari i këtij subjekti, Kadri Veseli, i cili ishte kandidat i PDK-së për kryeministër në zgjedhjet e tetorit. Teksa pranoi humbjen, kreu i Partisë Demokratike të Kosovës tha se partia që ai drejton do të kalojë në opozitë tash e tutje.

“Së bashku me Partinë Demokratike të Kosovës kemi punuar shumë që t’i fitojmë këto zgjedhje, por nuk fituam. Qytetarët kanë dhënë verdiktin e tyre dhe ne e pranojmë. Partia Demokratike e Kosovës do të kalojë në opozitë. Por ne do të vazhdojmë t’i shërbejmë kombit dhe shtetit”, ka deklaruar Veseli.

Pavarësisht rezultatit të djeshëm Veseli tha se PDK-ja nuk do të ndalet së punuari.

“Anëtarëve dhe aktivistëve të Partisë Demokratike të Kosovës u them ndihuni krenarë me punën tuaj, sepse edhe unë ndihem shumë krenar me ju. Keni bërë një punë të madhe dhe besimi im në ju është i palëkundur. Duhet të besoni dhe të punoni për një Kosovë më të mirë. Ne nuk ndalemi asnjëherë. Ne së bashku do të vazhdojmë”, ka theksuar ai.

Haradinaj: Vendimi për t’ia kthyer vendimmarrjen sovranit ishte i drejtë

Pas publikimit të rezultateve të KQZ-së ka reaguar edhe kandidati për kryeministër nga koalicioni AAK – PSD, Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se gara e drejtë dhe e qetë e ngriti Kosovën e qytetarët e saj në një standard të ri të pjekurisë politike e demokratike. Për këtë, siç ai u shpreh, meritore janë të gjitha partitë politike, pa dallim.

“Uroj që me të njëjtin nivel maturie të mbyllet edhe ky cikël elektoral, duke i hapur rrugë pa vonesa konstituimit të Kuvendit dhe institucioneve të reja demokratike në vend”, ka deklaruar ai.

Haradinaj më tej falënderoi strukturat e elektoratin e koalicionit AAK – PSD.

“Fillimisht dua t’i falënderoj strukturat e Aleancës, aktivistët e mbështetësit e në veçanti secilin votues, që besoi dhe votoi koalicionin AAK – PSD, duke ua shprehur mirënjohjen time të thellë për punën e palodhshme e besimin e palëkundur që na e falën”, shtoi ai.

Ndaj vendimi për t’ia kthyer sovranit vendimmarrjen, pikërisht në kohë udhëkryqi për Kosovën, sipas Haradinajt u vërtetua që ishte veprim i drejtë.

Nisma nuk e kalon pragun

Sipas rezultateve preliminare koalicioni Nisma – AKR – PD nuk e ka kaluar pragun zgjedhor. Pas rezultateve lideri i Nismës, Famir Limaj, i cili ishte kandidat për kryeministër nga ky koalicion, nuk është deklaruar fare. Ndërkohë para daljes së shifrave të para Limaj u shpreh i bindur se do të marrë rezultate tejet pozitive.

“Të gjithë qytetarëve të Kosovës ua shpreh mirënjohjen time për kontributin e tyre për të pasur një proces të lirë e demokratik. Falënderoj të gjithë votuesit e Nismës. Nisma ka arritur një rezultat të jashtëzakonshëm. Ne tash në bazë të të gjitha raporteve i kemi shtatë deputetë dhe po presim deputetin e tetë”, deklaroi kreu i Nismës pas mbylljes së vendvotimeve.

Me këtë rast Limaj tha se Nisma do të jetë partia vendimtare për formimin e qeverisë së ardhshme.

Rezultatet preliminare të zgjedhjeve

Të drejtën për të votuar gjatë ditës së djeshme e kanë shfrytëzuar 812 mijë e 49 votues ose 44,18 për qind, nga 1 milion e 937 mijë e 868 qytetarë me të drejtë vote. Për dallim prej kësaj në zgjedhjet e kaluara të mbajtura më 2017-n patën votuar 759 mijë e 549 votues ose 41,45 për qind e votuesve.

Sipas rezultateve preliminare të publikuara nga KQZ-ja (me rreth 95 për qind të votave të numëruara), LVV-ja mori 194 mijë e 780 vota (25,71%), LDK-ja 189 mijë e 771 vota (25,05%) dhe PDK-ja 160 mijë e 974 sosh (21,25%). Ndërkohë koalicioni AAK – PSD arriti t’i marrë 87 mijë e 720 (11,58%). Kurse sipas rezultateve preliminare koalicioni Nisma – AKR – PD nuk arriti ta kalojë fare pragun, duke marrë vetëm 37 mijë e 419 të votave (4,94%). Partia Euroatlantike e Kosovës (PEK), e drejtuar nga Milaim Zeka në zgjedhjet e djeshme mori 1 mijë e 27 vota (0,13%), ndërkaq partia “Fjala” 2 mijë e 905 vota (0,38%). Lista Serbe në zgjedhjet e së dielës ka marrë gjithsej 47 mijë e 576 vota (6,25%), kurse koalicioni “Liria” 649 vota (0,09%).

Parregullsitë gjatë procesit

Policia e Kosovës e ka vlerësuar të qetë dhe pa incidente madhore procesin e djeshëm zgjedhor. Megjithëkëtë, sipas një komunikate të lëshuar nga PK-ja thuhet se gjatë së dielës janë evidentuar disa raste të cilat kanë rezultuar me arrestimin e 29 personave. Prej tyre, siç është thënë në njoftim, 23 persona janë ndaluar me vendim të prokurorëve kompetentë të Prokurorisë së Shtetit.

Ndërkohë rrjeti i organizatave joqeveritare, që u mor me vëzhgimin e procesit zgjedhor “Demokracia në Veprim” (DnV), ka bërë të ditura disa prej parregullsive të vërejtura gjatë ditës së djeshme, njëra prej të cilave ka qenë vështirësia e votuesve në gjetjen e vendvotimit të duhur. “Këto vështirësi kanë vazhduar gjatë intervalit kohor 13:00 – 17:00. Numri total i këtyre rasteve ka qenë 7200 në 2408 vendvotime”, ka deklaruar Ismet Kryeziu, nga DnV-ja.

Një parregullsi tjetër që është shfaqur, siç ka njoftuar DnV-ja, ka të bëjë me ofrimin e asistencës gjatë votimit. “Asistenca gjatë votimit është një ndihmë, e cila mund t’i ofrohet votuesit nën rrethana të veçanta, në mënyrë që çdo votues të ketë mundësinë e ushtrimit të së drejtës së tij juridike për të votuar. Rregulla zgjedhore përcakton se asistenca në votim nuk mund të ofrohet më shumë se një herë nga i njëjti qytetar, ndërsa anëtarëve të KVV-vë ose vëzhguesve të akredituar u ndalohet rreptësishtë të ofrojnë asistencë në votim”, ka shtuar ai.

Në të kaluarën sipas Kryeziut kjo metodë është keqpërdorur për të imponuar ose për të deformuar vullnetin e lirë të qytetarëve, duke ndikuar drejtpërdrejt në përzgjedhjen e një subjekti politik ose të kandidatëve të caktuar.

Përveç këtyre edhe fotografimi i votës gjatë zgjedhjeve të së dielës ka qenë një prej parregullsive që është vërejtur nga vëzhguesit e DnV-së. “Fotografimi i votës është evidentuar në 55 raste, në 32 vendvotime. Bërja publike e fletëvotimit është raportuar në 17 raste, në 14 vendvotime. Qëndrimi i më shumë se një personi prapa kabinës së votimit është evidentuar në 80 raste dhe këtu nuk bëhet fjalë për votim me asistencë. Kjo ka ndodhur në 41 vendvotime”, ka potencuar ai teksa ka folur për periudhën e njëjtë kohore prej orës 13:00-17:00./ZERI

Shpërndaje në rrjete sociale