5 mijë votuesit e refuzuar të diasporës kanë të drejtë ankese në PZAP

15:42 | 20 Shtator 2019
M. A.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka refuzuar mbi pesë mijë aplikacione për të votuar jashtë vendit për zgjedhjet e jashtëzakonshme në vend.

Këta persona, janë njoftuar përmes email-it që u është refuzuar aplikimi dhe kanë të drejtë ankese brenda 24 orësh në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, shkruan arbresh.info.

Kështu ka thënë zëdhënësi për media nga KQZ, Valmir Elezi.

“Po, janë njoftuar që janë refuzuar dhe që kanë të drejtë anekse në PZAP, brenda 24 orësh nga momenti i marrjes së njoftimit”, ka thënë ai.

Sipas KQZ arsyeja e refuzimit të 5.194 aplikacione është  sepse nuk kanë ofruar dokumentet e nevojshme të kërkuara nga KQZ.

Besnik Buzhala nga divizioni i shërbimit të votuesve jashtë vendit ka thënë se përgjatë kësaj periudhe, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar gjithsejtë 40, 313 aplikacione për regjistrim.

“Nga 40,313 aplikacione për regjistrim të pranuara gjithsejtë, 5,327 aplikacione janë pranuar përmes postës. 319 aplikacione janë pranuar përmes faksit, dhe 34, 667 aplikacione të pranuara përmes e-mail”, njoftoj ai.

5,194 aplikacione që janë refuzuar, për shkak të dokumenteve, formularit të aplikimit si dhe për shkak të moshës.

“Për shkak që kanë dërguar vetëm kopje të dokumentit të vlefshëm të shteteve ku aplikuesit jetojnë, dhe nuk kanë dërguar kopje të dokumenteve me të cila vërtetohet kriteri i zotësisë juridike. Për shkak që aplikuesit e kanë dërguar vetëm formularin e aplikimit, e nuk e kanë dëshmuar as identitetin e as njërën nga kushtet e kritereve të zotësisë juridike. Për shkak se në ditën e zgjedhjeve, aplikuesit nuk arrijnë moshën 18 vjeç”, tha ai.

Shumë mërgimtarë janë ankuar për shkak të procedurës së ngarkuar të aplikimit më ç ‘rast kjo edhe mund të jetë arsyeja e dështimit të mbi 5 mijë votuesve potencial  jashtë vendit.

Edhe vetë Misioni i BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve pati rekomanduar reforma në lidhje me votuesit jashtë vendit, duke i vlerësuar si tejet të komplikuara.

Kujtojmë se rreth 35 mijë personave që u është pranuar aplikimi kanë të drejtë vote deri me datën 5 tetor./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale