Për të tretën herë radhazi Kosova po tenton të hyjë në organizatën më të madhe të Policisë në Botë, INTERPOL , e cila këtë vit do të mbahet në Kili.
Policia e Kosovës, që moti i ka plotësuar kushtet për pranimin në INTERPOL. Kështu vlerëson analisti politik Faik Krasniqi.
Ai thotë se duke dështuar çdo vit, Serbia politikisht krijon avantazh të madh gjatë bisedimeve, sepse para Bashkësisë Ndërkombëtare arsyetohet që Kosova s’mund të bëhet shtet i konsoliduar pa miratimin e saj.
Krasniqi e krahason procesin e anëtarësimit të Kosovës në Interpol me telenovela indiane.
“Çështja e anëtarësimit të Kosovës në Interpol, është shndërruar në një telenovele indiane. Kosova i plotëson të gjitha kushtet për t’u anëtarësuar në Interpol, sepse ka një polici profesionale. Madje ka polici më të mirë se gjysma e shteteve që janë anëtare. Por anëtarësimi në Interpol është çështje krejt politike. Nëse s’ke votat e duhura edhe s’mund te anëtarësohesh”, është shprehur ai.
Sipas tij lobimi ruso-serb është faktori kryesor i dështimit të Kosovës për t’u anëtarësuar në këtë organizatë.
“Lobimi ruso-serb është faktori kryesor i dështimit. Nuk i kuptoj politikanet tanë. Kur e dine se nuk i kane votat për t’u anëtarësuar, pse aplikojnë çdo vit. Duke dështuar çdo vit, Serbia politikisht krijon avantazh te madh gjate bisedimeve, sepse para Bashkësisë Ndërkombëtare arsyetohet qe Kosova s’mund te behet shtet i konsoliduar pa miratimin tonë, dhe statusi i Kosovës gjithmonë vihet ne pikëpyetje”, ka thënë Krasniqi.
Njëjtë mendon edhe analisti tjetër politik, Leon Duhanaj.
Ai thotë se Kosova tashmë i plotëson kushtet për anëtarësim në Interpol.
Duhanaj shprehet se anëtarësimi në këtë organizatë ndërkombëtare , është një hap përpara dhe mundësi e re, për ta ngritur nivelin e sigurisë në vend.
“Anëtarësimi i Kosovës në Interpol është me rëndësi të veçantë dhe, përveçse Kosovës i mundëson qasje të plotë në kuadër të këtij organizmi të sigurisë globale, është njëkohësisht edhe një hap i madh para në vazhdën e integrimeve të Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë. Po, mendoj që Kosova i plotëson kushtet për anëtarësim”, ka pohuar ai.
Duhanaj, pretendon e Policia e Kosovës është më e mira në vendet e rajonit.
“Besoj që kemi një polici ( me përjashtime individuale) shumë të mirë dhe të përgatitur. Nëse i bëjmë një vështrim krahasimorë me policitë e vendeve rreth nesh, atëherë pa mëdyshje që mund të themi që kemi polici profesioniste dhe që mund të mburremi me të. Anëtarësimi në Interpol, është edhe një hap shumë përpara dhe një mundësi e re, për ta ngritur nivelin e sigurisë në vend dhe me gjerë, këndej duhet të anëtarësohemi dhe duhet lobuar nga të gjitha anët që të ndodhë”, ka thënë Duhanaj.
Ndryshe, në vitin 2018 Kosova nuk arriti të bëhet vend anëtar i INTERPOL-it, pasi që nuk mori shumicën e nevojshme, prej dy të tretave të votave të vendeve pjesëmarrëse në Asamblenë e Përgjithshme të kësaj organizate, që u mbajt në Dubai.
Qeveria e Republikës së Kosovës pati shprehur zhgënjimin e saj të thellë që Kosovës i ishte pamundësuar të jetë pjesë e familjes botërore të Policisë, që lufton krimin transnacional.
Përndryshe, tentativat e Kosovës për anëtarësim në INTERPOL, datojnë që nga viti 2010, por atë kohë, Komiteti Ekzekutiv nuk e kishte marrë fare parasysh kërkesën e parashtruar nga Prishtina zyrtare.
Ndërkaq më 2015 dhe 2016, Kosova kishte aplikuar, por nuk ishte futur në agjendën e Asamblesë së Përgjithshme. Në vitin 2017, Kosova tërhoqi vullnetarisht kërkesën, për shkak të mbështetjes së pamjaftueshme./Ardita Zeka/Arbresh.info
Merz: Bota ka hyrë në epokën e politikës së fuqive të mëdha
28-vjetori i sulmit të dytë ndaj familjes Jashari, Kurti: Hi...
KFOR-i dhe Policia zhvillojnë ushtrim të përbashkët për reag...
Çfarë parasheh anëtarësimi në Bordin e Paqes?
Trump sërish e përmend ndalimin e konfliktit ndërmjet Kosovë...
Themelohet Bordi i Paqes, presidentja Osmani nënshkruan dekl...