Ministria e Shëndetësisë “harron” spitalin e Tetovës

17:20 | 1 Tetor 2015
Gita

Edhe pse kanë kaluar dy muaj nga vërshimet në Tetovë, ku po ashtu u dëmtua edhe Spitali Klinik i Tetovës, deri më tani nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë nuk është marrë asnjë hap për rregullimin e aparaturave që janë dëmtuar nga vërshimet, njofton Telegrafi.

Edhe pse bëhet fjalë për aparate që u nevojiten qytetarëve të Tetovës, për të mos udhëtuar deri në klinikat e Shkupit deri më tani nuk ka asgjë. Në bazë të informatave të Telegrafit, tashmë spitali Klinik i Tetovës, ka hapur një tender publik për rregullimin e aparaturave të dëmtuara dhe pajisjeve tjera të spitalit, gjë që e konfirmoi edhe vet udhëheqësia e spitalit të Tetovës. Tenderi gjatë ditës së sotme është nxjeerrë edhe në web faqen për tendera publik, e-nabavki.gov.mk. dhe bëhet fjalë për aparatin e Tomografisë dhe magnet rezonancën dhe pajisje të tjera.

Drejtori i spitalit Klinik të Tetovës, Florim Besimi për Telegrafin thotë se ‘ne kemi hapur një tender pubik, dhe aty do të duhet që të mirëmbahen pajisjet që i ka spitali Klinik i Tetovës’, thotë Besimi. Ai e konfirmon se aparatet në fjalë nuk janë në përdorim dhe se presin mjete nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë por deri më tani nuk kanë përfituar asgjë.

‘Është e vërtete se aparatet në fjalë nuk janë në përdorim, ne kemi marrë një premtim nga ministria por nuk ka asgjë, si duket do të duhet që vetë t’i riparojmë’, shtoi Besimi.

Me mos funksionimin e këtyre dy aparateve, qytetarët e Tetovës janë të detyruar që të udhëtojnë në Shkup, ku edhe duhet të presin me muaj të tërë për të kryer shërbimet e kompjuterit të Tomografisë dhe Magnet Rezonancës.

Sipas informatave spitali Klinik i Tetovës ka rreth 160 aparate shëndetësore që duhet të mirëmbahen në bazë të këtij tenderi publik.

Shpërndaje në rrjete sociale