Plot një vit pas vdekjes pritet të fillojnë punimet për ndërtimin e shtatores së veprimtarit të çështjes shqiptare, Adem Demaçi.
Tashmë është mbyllur edhe tenderi i hapur muajin e kaluar.
Këtë për arbresh.info e ka konfirmuar Jahja Lluka, këshilltar i kryeministrit i cili është edhe anëtar i Komisionit të krijuar për monitorimin e vendosjes së shtatores.
Ai ka shtuar gjithashtu se nuk kanë pranuar asnjë ankesë deri të mërkurën.
“Deri të mërkurën nuk ka pas asnjë ankesë, afati pesëditor përfundon sot. Të enjten ka filluar pjesa procedurale financiare e Prokurimit”, ka thënë ai.
Lluka ka treguar edhe për numrin e kompanive që kanë aplikuar.
“Kanë aplikuar tetë kompani. Për çmime ende nuk e di kur të hapet pjesa financiare”, ka thënë ai.
Ndryshe arbresh.info në qershor të këtij viti kishte raportuar menjëherë pas hapjes së tenderit që veprimtarit të çështjes shqiptare, Adem Demaçi t’i ndërtohet shtatorja e cila do të vendoset në kryeqytet.
Lluka kishte dhënë detaje për shtatoren.
“Konkursi është publik deri më 17 të muajit të ardhshëm do të kenë mundësi autorët të aplikojnë dhe do të bëhet përzgjedhja. Do të jetë katër metra i gjatë dhe do të vendoset në parkun ‘Adem Demaçi’ te rrethrrotullimi”, ka thënë ai në qershor.
E në mbledhjen e mbajtur më 31 korrik 2018, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për vendosjen e shtatores së Adem Demaçit në sheshin “Adem Demaçi” në Prishtinë, emërtimin e autostradës Prishtinë-Pejë- “Autostrada Adem Demaçi” dhe propozimin për të emëruar parkun e qytetit të Prishtinës – “Parku Adem Demaçi”.
Madje në këtë mbledhje ishte formuar edhe Komisioni për këto tri çështja e në përbërje të së cilit ishin caktuar një përfaqësues i Zyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës, një përfaqësues i Ministrisë së Infrastrukturës, një i Ministrisë së Forcës dhe Sigurisë së Kosovës, një i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, një i Agjencisë për Menaxhimin e Kompleksëve Memoriale dhe një përfaqësues i Komunës së Prishtinës.
E në të njëjtin vendim thuhet se të gjitha shpenzimet do të mbulohet nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës.
Veprimtari i çështjes shqiptare, Adem Demaçi, ka ndërruar jetë më 26 korrik të vitit të kaluar në moshën 82 vjeçare.
Demaçi njihej si simboli i rezistencës kombëtare, i quajtur edhe si Mandela i Ballkanit.
Ai u arrestua dhe dënua tri herë, duke vuajtur kështu 28 vjet me radhë në burgjet e ish-Jugosllavisë.
Në vitin 2010 ai u dekorua me urdhrin “Hero i Kosovës”./arbresh.info/
Video/ Tragjedia me 47 viktima në Crans-Montana, momenti kur...
Vuçiq: Pikat kyç të marrëveshjes për shitjen e NIS-it te MOL...
Kurti: Daci dha shembull se si duhet zhvilluar beteja politi...
Aksident tragjik në Greqi, humb jetën 23-vjeçari shqiptar
Vetura përplaset me kamion në Malishevë, një person i lëndua...
Protesta të dhunshme në Iran, Trump: Ndaloni vrasjet, jemi t...