Dhjetëra mijëra persona kanë mbushur sheshin qendror Trafalgar në Londër për të protestuar ndaj vizitës shtetërore në Mbretërinë e Bashkuar të presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, raporton Anadolu Agency (AA).
Ata filluan të tubohen nga orët e hershme para se Trump të vizitonte kryeministren britanike, Theresa May, në zyrën e saj në Downing Street.
Trump arriti në zyrat e qeverisë britanike nën prani të madhe të policisë, ndërsa protestuesit u mbajtën shumë larg autokolonës së tij.
Mijëra protestues që mbanin parulla dhe postera anti-Trump më vonë kaluan në hyrjen e lagjes Downing Street, megjithatë ata nuk arritën të afrohen për shkak të kordonit të policisë.
Hyrja në rrugën Whitehall të Londrës qendrore u mbyll nga furgonët policor, kuajt dhe barrierat metalike, ndërkohë më shumë njerëz u tubuan edhe në sheshin e Parlamentit.
Një balonë “Baby Trump” prej rreth 6 metrash qëndronte në shesh në vendin ku automjeti i Trump duhej të kalonte për të arritur në takimin me kryeministren May.
Protestat pritet të vazhdojnë gjatë gjithë ditës me më shumë njerëz të cilët vazhdojnë t’i bashkohen. Lideri i Partisë Laburiste dhe disa politikanë të tjerë po ashtu pritet t’i bashkohen protestës në sheshin e Parlamentit.
Siç është planifikuar, pasdite Trump dhe May do të adresohen në një konferencë të përbashkët për media pas takimit ku do të diskutojnë për partneritetin e ardhshëm tregtar mes Mbretërisë së Bashkuar dhe SHBA-ve.
Trump dje filloi vizitën e tij shtetërore tre-ditore në Britani. Ai u prit zyrtarisht nga Mbretëresha në Pallatin Buckingham dhe u takua me anëtarët e familjes mbretërore në një banket shtetëror në mbrëmje.
Pas takimeve të ditës së sotme, Trump po ashtu pritet të darkojë me Princin Charles.
Vizita e presidentit amerikan do të vazhdojë edhe gjatë ditës së nesërme. Ai do të marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore në Portsmouth për të shënuar 75-vjetorin e fundit të Luftës së Dytë Botërore.
Trump pritet që nesër të largohet nga Mbretëria e Bashkuar për të vazhduar në Francë për ngjarjet e mëtejshme përkujtimore kushtuar fundit të Luftës së Dytë Botërore.
I arrestuari me urdhër të Prokurorisë Speciale është kryeshe...
Begaj takon sipërmarrësit grekë: Shqipëria ofron një terren ...
Arrestohet një zyrtar i dyshuar për keqpërdorim në prokurim ...
Peci reagon pas intervistimit në Prokurorinë Speciale lidhur...
Faton Peci po intervistohet në Prokurorinë Speciale në cilës...
Dyshime për manipulim votash në Obiliq, Prokuroria autorizon...