​Lista Serbe nuk përfill as komisionin për të drejtat dhe interesat e komuniteteve

15:20 | 5 Prill 2019
M. A.

Përveç bojkotit të seancave të Kuvendit të Kosovës, Lista Serbe nuk po përfill edhe në komisionin që u dedikohet komuniteteve. Deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq, i cili është edhe kryesues i Komisionit Parlamentar për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe për Kthim, nuk ka qëndruar deri në fund të mbledhjes së këtij komisioni, gjatë ditës së sotme.

Simiq pas përgjigjeve të marra nga ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa dhe drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, në lidhje me numrin e policëve të pranuar të komunitetet serb, ka lënë komisionin, nën kryesimin e nënkryetarit, Xhelal Sveçla. Për çka u kritikua nga anëtarja e komisionit,  Emilija Redzepi.

Sipas nënkryetarit të këtij komisioni, e po ashtu edhe deputetit të VV’së,  kjo sjellje e Listës Serbe është e papranueshme, duke përmendur kështu edhe bojkotimet e kësaj partie në seancat e Kuvendit të Kosovës.

Në komisionin për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe për Kthim, drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj ka treguar se në konkursin e Policisë Kosovës, kishin aplikuar mbi 17 mijë persona, ku nga këta kishte edhe pjesëtarë të komuniteteve.

Këto shifra sipas Igor Simiqit janë paushall, e jo zyrtare. I njëjti ka folur edhe për sulmet e drejtuara në institucionet fetare, siç ka përmendur ai.

Por me këtë deklaratë nuk u pajtua drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj.

Të  pakënaqur me këtë konkurs të Policisë së Kosovës, janë shprehur edhe deputetët e komuniteteve tjera.

Sipas Veton Berishës nga Partia Liberale Egjiptiane, komuniteti egjiptian dhe ashkali   është përjashtuar nga konkursi, ani pse të njëjtit kanë aplikuar.

Këtë konkurs e ka kritikuar edhe Demush Ademi  nga Nisma SocialDemokrate.

E ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa Mustafa  tha se ka raport të mirë me deputetët e komuniteteve në Kosovë, duke thënë se ka autorizuar zyrën ligjore, ku në rastet e aplikimeve të lejohet diskriminimi pozitiv për komunitetet, të cilët nuk dijnë  gjuhët zyrtare në Kosovë,  shqipe dhe atë serbe.

Shpërndaje në rrjete sociale