Në prani edhe të ambasadorit të ShBA-ve, Xhes Bejli, dhe atij të BE-së, Aivo Orav, grupi punues në një format të ndryshuar po bën përpjekje për arritjen e marrëveshjes për institucionin Prokuror Special, kandidatin e mundshëm dhe ekipin e tij.
Zhurnal mëson se ende nuk është arritur asgjë konkrete edhe pse vazhdimisht është njoftuar për avancim të bisedimeve dhe përafrim të qëndrimeve.
Ende mbeten të hapura thuajse të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me organizimin dhe funksionimin e prokurorisë speciale.
Para fillimit të takimit, pjesëmarrësit në grupin punues u shprehën optimistë për arritjen e një marrëveshjeje.
“Do të provojmë, gjithçka që mundemi. Bisedimet janë serioze”- tha Antonio Milloshoski nga VMRO-DPMNE.
“Unë jam gjithmonë optimist”- theksoi ndërmjetësi, Piter Van Haute.
Jozyrtarisht mësohet se VMRO-DPMNE-ja vazhdon të kundërshtojë draftin e ligjit të hartuar nga Bashkimi Evropian.
Çështja kryesore edhe më tej mbetet ekipi i prokurorëve në kuadër të Prokurorisë Speciale.
Zhurnal mëson se nga sot kanë filluar të diskutohen edhe emrat e kandidatëve të mundshëm, dhe se në bisedime janë kyçur edhe anëtarë të tjerë nga partitë përkatëse.
Kriza politike në Maqedoni duket se po shkon drejt thellimit. Marrëveshja e arritur në mes pozitës dhe opozitës për daljen nga kriza, parashikon që deri të martën e 15 shtatorit duhet të zgjidhet prokurori special.
Nëse marrëveshja nuk arrihet edhe nesër, kur dhe skadon afati për zgjedhjen e Prokurorit Special, të parashikuar me Marrëveshjen ndërpartiake për daljen e Maqedonisë nga kriza politike, fati politik i Maqedonisë po vihet në pikëpyetje.
Edhe pse grupet punuese të partive politike dhe eksperti belg Piter van Hojte kanë punuar edhe gjatë ditëve të fundjavës, deri më tani nuk ka informata zyrtare se a është arritur ndonjë marrëveshje.
Përderisa opozita maqedonase kërkon që prokurori special dhe ekipi i tij të ketë autonomi të plotë gjatë hetimit, VMRO-DPMNE-ja e kryeministrit Gruevski nuk pajtohet me faktin që prokurori të ketë edhe një ekip me prokurorë të tjerë, të cilët do ta ndihmojnë gjatë hetimit.
Sipas marrëveshjes ndërpartiake për daljen e Maqedonisë nga kriza politike, nga 15 shtatori duhet të emërohet Prokuror Special me autonomi të plotë që ta udhëheqë rastin “Puç” dhe akuzat për korrupsion e krim të qeveritarëve, të cilat dalin nga bisedat e përgjuara telefonike që i publikoi opozita maqedonase.
Shumica e analistëve politikë, vlerësojnë se partitë politike në Maqedoni nuk kanë as vullnet, as potencial politik të arrijnë marrëveshje.
Ata theksojnë se Gruevski dhe bashkëpunëtorët e tij, të cilët janë të dyshuar për korrupsion dhe krime të rënda, i intereson vetëm vetvetja e jo Maqedonia dhe e ardhmja e vendit.
Ndërkohë, për shkak të stërzgjatjes së bisedimeve rreth zgjedhjes së Prokurorit Special dhe duke qenë të bindur se ky nivel i politizimit të gjendjes në Maqedoni, do të pamundësojë zgjedhjen e një Prokurori Special, i cili do të kishte besueshmëri nga të gjitha palët.
Ai duhet të merret me hetimin e vërtetësisë së akuzave për korrupsion dhe krim, të cilat janë ngritur nga opozita pas publikimit të bisedave të përgjuara telefonike.
New Delhi, smogu i rrezikshëm “mbyt” qytetin
Aksioni kundërkorrupsion me shtatë të arrestuar, Prokuroria ...
Edi Rama: Shqipëria mund ta ndihmojë BE-në të mbijetojë – na...
Napoli i Rrahmanit në finalen e Superkupës së Italisë, mund ...
Haradinaj: Nuk flas më si opozitar, por si qeveritar i nesër...
Aksion i madh kundërkorrupsion i AKI-së dhe Policisë, arrest...