BE: Punimet për revitalizimin e urës teknikisht kanë mbaruar

08:30 | 10 Shkurt 2019
A Z

Dy vite më parë, dy ekskavatorë rrënuan murin e ndërtuar në pjesën veriore të Mitrovicë. Ky mur ishte ndërtuar nga strukturat paralele në veriun e Mitrovicës, pranë urës së Ibrit, për të pamundësuar lidhjen dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve në dy pjesët e Mitrovicës.

Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalija Apostollova, kishte dalë atë kohë për të vëzhguar punimet duke thënë se është një moment i rëndësishëm për Mitrovicën dhe qytetarët e saj. Tani pas dy vitesh ende nuk është revitalizuar ura në atë pjesë.

Në një përgjigje për portalin arbresh.info, nga zyra e Bashkimit Evropian thuhet së punimet për revitalizimin e urës teknikisht kanë mbaruar dhe se sipas kësaj zyre marrëveshjet e arritura në dialog për këtë urë do të implementohen sa më parë.

“Puna për të revitalizuar urën kryesore dhe rrethinat në Mitrovicë është teknikisht e mbaruar. BE-ja është duke punuar me të dyja si Beogradin ashtu dhe Prishtinën. Të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog që kanë të bëjnë me urën kryesore do të implementohen në tërësi sa më parë të jetë e mundur”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Analisti politik, Leon Duhanaj në një përgjigje për portalin arbresh.info ka thënë se mos hapja e urës është pjesë e projektit serb që synon që Kosova të ndahet.

“Të gjitha gjërat që kanë të bëjnë me veriun e Kosovës përkatësisht me serbet, në një mënyrë apo tjetrën, janë të bllokuara. E gjitha ndodhë për shkak se Serbia, mundohet që përmes këtyre pengesave ta mbaj peng Kosovën, me qëllim që një ditë të shpallët shtet jofunksional. Pos kësaj, duket që në kuadër të projektit serb, synohet që Kosova të ndahet, prandaj edhe nuk lejojnë funksionalizimin e Urës, me qëllim që ta përdorin politikisht përgjatë procesit negociator”, ka thënë ai.

Sipas tij Bashkimi Evropian ka humbur besimin tek shqiptarët, dhe në këtë gjë ka faj edhe Presidenti i vendit siç tha ai duke promovuar planet serbe për ndarje të Kosovës.

“Në anën tjetër kemi institucionet e BE-së, të cilat dita ditës kanë filluar ta humbin besimin tek shqiptarët duke i trajtuar serbet si njerëz dhe shtet normal, çfarë në realitet nuk janë. Për mendimin tim, serbet nuk janë popull me aftësi jetese normale. Atyre u nevojiten konfliktet, në mënyrë që të jenë të mobilizuar. Gjithë kësaj, ja kemi ndihmuar edhe vetë ne, përkatësisht vetë Presidenti me disa argat që i ka, duke promovuar planet serbe për ndarje të Kosovës, deri në atë masë sa që sot ka shumë çarqe ndërkombëtare, që e përkrahin apo nuk e përjashtojnë ketë ide bazuar në besimin që sipas Thaçit shqiptarët janë të interesuar për shkëmbim”, ka thënë Duhanaj./V.Berisha/arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale