NATO thotë se nuk do të ketë “gisht” në vendosjen e kufirit Kosovë-Serbi

08:15 | 10 Shkurt 2019
A Z

NATO mbështet fuqishëm arritjen e një marrëveshjeje për normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe KFOR-i është i gatshëm të mbështesë zbatimin e saj.

 

Ky synim i NATO-s nuk paraqitet në praktikë, në fazën kur mjaftë problematike shihet vija përmes të cilës do të definohet kufiri me Serbinë, dhe për këtë KFOR-i deklarohet se nuk ka të bëjë asgjë me njohje të kufijve.

“KFOR nuk merret me demarkim të kufiri dhe nuk njeh ndonjë linjë kufitare mes Kosovës dhe Serbisë. Ajo çfarë raportohet në hartat tona është ajo çfarë quajmë Linja Kufitare Administrative (ABL) që është një linjë referuese e dakorduar për qëllime ushtarake. Nuk ka të bëjë asgjë me njohje të kufijve, që është detyrë e qeverive dhe politikanëve,” i kanë thënë në KFOR arbresh.info.

Mandati i KFOR-it buron nga rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe Marrëveshja Teknike Ushtarake ndërmjet NATO-s, Republikës Federale të Jugosllavisë dhe Serbisë.

Një vijë, që KFOR-i po pretendon se nuk është kufij administrativ, paraqitet edhe në hartat kadastrale të Komunës së Kamenicës.

Ky “kufij” që KFOR-i thotë se e përdorin për qëllime ushtarake, ka lejuar që banorët e Karaçevës tash e 20 vjet pas luftës të mos guxojnë të shfrytëzojnë tokat e tyre.

Rrëfimet e tyre, sqarojnë se edhe kur kanë dashur t’i punojnë, shumë prej banorëve kanë përfunduar në stacionet policore të Serbisë.


Ata janë dëshmitarë të patrullimeve të vazhdueshme të forcave serbe në atë pjesë, përtej kufirit administrativ të Kosovës, e deri tek “kufiri” i KFOR-it.

Lexo edhe:

“Korrigjimin i lehtë” i Presidentit mund të përfshijë edhe 26 mijë hektarë tokë të Kamenicës

Kryetari i Komisionit Shtetëror për Definimin e Kufirit, Shpejtim Bulliqi, sqaron insistimin e vazhdueshëm që e kanë pas që kufijtë administrativ të merren parasysh edhe me demarkimin e kufirit më Malin e Zi.

Bulliqi kërkon nga institucionet që mos të pranohet as një kufij tjetër përveç kufirit administrativ përndryshe do të kenë probleme.

“Lufta jonë është bërë që të ruhen kufijtë administrativ sepse vetëm përmes atyre kufijve ne nuk do të kemi probleme me vendosjen e kufijve me shtetet fqinjë. Lufta jonë që është bërë të ruhen ata kufij. Me Malin e Zi ka qenë se ne e kemi ditë se do të kemi probleme në momentin kur të bëjmë demarkimin e kufirit me Serbinë. Vetëm më kufijtë e vendosur në Kushtetutën e vitit 1974 ne nuk do të kemi probleme dhe do të kemi më lehtë. Nëse politika ka mendim tjetër ose vazhdon të kërkoj forma tjera të linjës kufitare atëherë Komisioni vetëm i merr për obligim vendimet e politikës pasi që nuk është në dorën tonë. Ne duhet të jemi të përgatitur që kur të ulemi më Serbin për të diskutuar për kufirin mund të kemi disa pika diskutabile.”

Njohës i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, thotë për arbresh.info se KFOR- i ka vendosur disa pika të saja, por të njëjtat nuk do të mbesin.

“Ato kanë qenë dikur mes Kosovës dhe Serbisë. Ashtu siç janë dhënë koordinatat kur është pranuar pavarësia e Kosovës. Ashtu duhet të mbesin. KFOR i kanë bërë në bazë të hartave topografike që realisht nuk kanë qenë të sakta në rast të përcaktimit. Do të thotë nuk janë kufij që mundem me ju referu në bazë të hartave topografike, nuk janë në bazë të hartave që janë dhënë në eurogeographics, kur është bërë pranimi i Kosovës si shtet i pavarur.”

Ish-ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Ramiz Lladrovci, pret që të mos përsëritet historia si në rastin e kufirit me Malin e Zi.

“Nuk besoj që do të përsëritet historia si me demarkacionin me Malin e Zi, ne rastin e demarkimit me Serbinë. Kufijtë e Kosovës janë të vendosur në bashkëpunim me NATON . Do i kemi ata kufij si në Marrëveshjen e Kumanovës dhe nuk do të lëvizin ata kufij. Nuk ka ndarje të Kosovës”, është shprehur Lladrovci.

Diferenca ndërmjet kufijve administrativ dhe atij të cilin e njeh KFOR-i, shihet në hartat kadastrale të komunave, por të njëjtat KFOR-i nuk ka qenë i gatshëm t’i prezantojë, për shkak të përdorimit për qëllime ushtarake.

Pavarësisht statusquos 20 vjeçare të mbi tre mijë banorëve të Karaçevës, ata paralajmërojnë se me çdo çmim do të mbrojnë tokat e tyre./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale