Çështja e shndërrimit të Forcës së Sigurisë së Kosovë (FSK) në Forcat e Armatosura të Kosovës (FAK) ka qenë temë diskutimi në mbledhjen e sotme të Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Anëtarët e këtij komisioni kërkuan që kjo çështje të trajtohet më me seriozitet dhe të forcohet ligji. E gjithashtu u shtrua si çështje se a është e mundur që FSK të shndërrohet pa e prekur Kushtetutën.
Anëtari i Komisionit, Rexhep Selimi nga Vetëvendosje, tha se kjo çështje ka qenë jo rrallë herë pjesë e retorikës së Qeverisë për ta sjellë në vëmendje të opinionit.
Ai theksoi se Komisioni duhet të reflektojë që në komision të mos sillet shndërrimi i FSK-së në FAK vetëm si lojë e retorikës politike, por siç tha, duhet të forcohet ligji ekzistues dhe të ketë iniciativa të tjera për ta bërë ushtrinë e Kosovës.
“Komisioni për siguri do të duhej të merrte qëndrim sa i përket këtij pozicioni dhe thjesht ta demaskojmë një lojë e cila është shumë e rrezikshme e dhe për ushtrinë e Kosovës por edhe për sigurinë e Kosovës. Ne t’i kthehemi punëve tona për forcimin e ligjit ekzistues dhe për iniciativa të tjera për ta bërë ushtrinë e Kosovës, për shkak se në këtë mënyrë nuk do ta kemi kurrë ushtrinë e Kosovës në Parlamentin e Kosovës”, tha Selimi.
Për këtë çështje, anëtari i Komisionit nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës Anton Çuni, tha se Qeveria e ka disponimin për shndërrimin e FSK-së në FAK, por siç tha, të gjithë e dinë se cilat janë limitet dhe kushtet.
“Nëse nuk munden FSK të bëhen kategori kushtetuese, atëherë të gjenden alternativa ligjore dhe ne mund ta shtrojmë edhe në këtë rrafsh, a ekziston mundësia që FSK të krijohet edhe pa prekur kushtetutën. Është temë që duhet ta trajtojnë ekspertët”, tha Çuni.
Shndërrimin e FSK-së në FAK, e quajti temë të ndjeshme deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu. Ajo, kërkoi që kjo çështje të trajtohet me një seriozitet më të madh.
Musliu përpos kësaj propozoi që kjo çështje të jetë një nga pikat e rendit të ditës në mbledhjet e ardhshme për të debatuar më gjerësisht.
Ndërsa, kryetari i Komisionit, Daut Haradinaj, tha se komisioni për punë të brendshme do të kryej detyrën e vet në momentin që do të vijë ligji nga qeveria. Në mbledhjen e sotme u shqyrtua plani i punës për sesionin vjeshtor.
Qipro merr kryesimin e Presidencës së BE-së, Spiropali: Shqi...
Raportohet për 40 të vdekur dhe të tjerë me djegie të rënda ...
Osmani: Qeveria e re duhet “të vrapojë” për ta zënë hapin, k...
Për të dytin vit me radhë, Trepça dominoi basketbollin kosov...
Në 11 komuna rifillon numërimi i votave për deputetë, KQZ je...
63 seanca, asnjë rezultat: Kriza e pazakontë e Kuvendit të K...