Demarkacioni me Malin e Zi, kauzë e AAK-së për rikthimin e Dukagjinit

21:44 | 12 Shtator 2015
Gita

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka shndërruar në kauzë politike çështjen e demarkacionit të Kosovës me Malin e Zi. Lidershipi i saj, avokimin rreth kësaj çështje po e sheh si mundësi të mirë politike për rritjen e elektoratit në Dukagjin dhe për rikthimin e komunave të humbura. Por, përderisa AAK-ja, e cila kishte qeverisur me Pejën dy mandate po është shumë aktive politikisht për rikthimin e komunave të Dukagjinit përmes kësaj kauze, LDK-ja dhe kryetari i tashëm i Pejës, Gazmend Muhaxheri, po rrinë shumë të heshtur.

Në një intervistë të tij, para disa ditësh lideri i AAK-së Ramush Haradinaj shkoi madje edhe shumë larg, duke thënë se Mali i Zi duhet të ketë raporte të mira me Dukagjinin (pa përmendur Kosovën), duke lënë të kuptohet se duhet të ketë raporte të mira me “mbretërinë” e tij politike, sepse ai i del zot në të gjitha mënyrat. Por, përderisa AAK-ja, e cila mund të konsiderohet si përgjegjëse kryesore për këtë gjendje të krijuar me vijën kufitare me Malin e Zi po është shumë e zëshme, kryetari i tashëm i Pejës, me krejt argumentet teknike e politike që mund t’i përdor për sqarimin e oponionit dhe ruajtjen e elektoratit të LDK-së, ka zgjedhur strategjinë e strucit.

Qyteti i Pejës ishte qeverisur prej vitit 2000 deri më 2007 nga Ali Lajçi, dikur strukturë e LDK-së, kurse tash pjesë e AAK-së. Por, burime brenda LDK-së në Pejë për Orainfo, thonë se të gjitha ata që kanë memorie publike, e dinë se Lajçi vetëm në vitin 2015 ka filluar të flas për vijën kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi. “Përkundër faktit, që asgjë nuk ka ndryshuar prej kohës kur ishte kryetar dhe se dikur edhe Lajçi ishte pjesë e grupeve punuese për demarkacionin, ai vetëm këtë vit për interesa politike ka filluar të kundërshtojë dhe ne ia kemi lënë tërë rrugën hapur për të përfituar politikisht”, thotë ky burim Brenda LDK-së në Pejë. Madje, sipas tij, ishte po Ali Lajqi, ai që në planet zhvillimore lokale sa ishte i pari i Pejës, asnjëherë nuk e kishte përfshirë zhvillimin e territorit të Pejës deri në Çakorr dhe Kullë, siç po pretendon tash se është territor i Pejës.

“Pas Ali Lajçit, komuna e Pejës edhe në qeverisjen e Ali Berishës së AAK-së kishte përpiluar plane zhvillimore lokale, por duke qenë të vetëdijshëm se ajo pjesë nuk është territor i Pejës, as ky nuk e kishte paraparë për zhvillim brenda territorit të Pejës, Çakorrin e Kullën. Prandaj, përkundër këtyre fakteve që Gazmendi i dinë shumë mirë, ai ia ka lënë rrugën hapur AAK-së dhe liderit të saj, Ramush Haradinaj, që të përfitojnë politikisht prej banorëve të zonës kufitare, që njihen si votues të tij”, thotë ai, trasmeton ORAinfo.

Sipas tij, për këtë situatë të krijuar më së shumti përgjegjësi ka Ali Lajçi dhe Ali Berisha nga AAK-ja, derisa për sqarimin e tërë kësaj situate ka edhe kryetari tash.

Komuna e Pejës, hartat e përdorura për demarkacion i përdor në planet zhvillimore me sipërfaqen e komunës së Pejës prej 603km2, që nga viti 1974. Gjithashtu, edhe në web faqen zyrtare të kësaj komune, ka qenë dhe është harta e komunës së Pejës me kufirin që është nënshkruar si marrëveshje ndërshtetërore mes Kosovës dhe Malit të Zi, pa përfshirë Çakorrin dhe Kullën.

Kjo komunë ka përgatitur plane zhvillimore lokale që nga viti 2005, kur Ali Lajçi ishte kryetar dhe asnjëra prej këtyre planeve të hartuara nga komuna e Pejës nuk e parasheh territorit e Pejës përtej vijës kufitare që është vendosur edhe më marrëveshjen ndërshtetërore dhe asnjëherë nuk kanë përfshirë si territor të tyre edhe Çakorrin dhe Kullën. Gjithashtu, edhe parku nacional i Rugovës, i shpallur me ligj të veçantë, i mbështetur edhe nga komuna e Pejës, nuk ka shtrirje deri në Çakorr dhe Kullë. /ORAinfo/

Shpërndaje në rrjete sociale