Këshilli Shtetëror i Cilësisë në kuadër të Agjencisë së Kosovës për Akreditim ka lënë jashtë 42 programe të studimit në të gjitha Universitetet Publike të Kosovës për vitin akademik 2019/2020 me arsyetimin se këto programe nuk i kanë plotësuar as kriteret minimale që duhet t’i ketë një drejtim universitar.
Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” përmes një përgjigje për portalin arbresh.info ka konfirmuar se u janë refuzuar 24 programe të studimit, 11 prej tyre janë refuzuar për vazhdimin e procedurave për akreditim/riakreditim, ndërkaq janë tërhequr 13 programe ekzistuese të akredituara.
“Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, sipas email-njoftimit të dërguar nga Agjencia e Kosovës për Akreditim, i janë refuzuar 24 programe të studimit, 11 prej tyre janë refuzuar për vazhdimin e procedurave për akreditim/riakreditim, ndërkaq janë tërhequr 13 programe ekzistuese të akredituara me udhëzimet administrative dhe legjislacion në fuqi gjatë kohës kur kanë aplikuar për akreditim/riakreditim, të cilat në kohën kur janë akredituar, kanë kaluar në procedurat e vlerësimeve të ekspertëve ndërkombëtarë vlerësues. Në këtë takim të KShC-së , Fakulteti i Arteve nuk është shqyrtuar. Sipas tyre, shqyrtimi i programeve të Fakultetit të Arteve do të realizohet në një takim të ardhshëm të KShC-së”, thuhet në përgjigjen e UP.
Portali arbresh.info ka siguruar emrat e disa prej programeve më të rëndësishme që janë refuzuar në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Në Fakultetin e Edukimit janë pezulluar dhe refuzuar departamenti i Edukimit Fillor i nivelit Bachelor, Pedagogji e Përgjithshme e nivelit Bachelor, Programi Parashkollor i nivelit Bachelor, Edukimi dhe zhvillimi në fëmijërinë e hershme niveli Bachelor dhe Udhëheqja në Arsim niveli Master.
Në Fakultetin e Mjekësisë nuk janë akredituar drejtimi i Infermierisë niveli Bachelor, drejtimi Mami niveli Bachelor dhe Studimet e Doktoraturës në Farmaci.
Në Fakultetin Ekonomik, është shuar departamenti i Marketingut në të gjitha nivelet e studimit.
Po ashtu edhe Dega e Gazetarisë në Fakultetin Filologjik nuk është akredituar në nivelin Bachelor dhe Master.
Në Fakultetin Filozofik nuk janë akredituar Drejtimi i Psikologjisë në nivelin Bachelor, Shkencat Politike në nivelin Bachelor dhe Arkivistika në nivelin Master.
Fakulteti Juridik nuk i është akredituar drejtimi E Drejta Financiare – PhD dhe Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës iu është refuzuar drejtimi i Gjeodezisë niveli Bachelor.
Sipas Universitetit të Prishtinës arsyeja e refuzimit të disa programeve nga KSHC është mungesa e dokumentacionit të bartësve apo probleme teknike me deklarimet. Por, UP thotë se kanë ofruar dëshmi me dosje të kompletuara konform kërkesave të AKA-së.
“Për disa programe të refuzuara janë dhënë arsyet nga KShC-ja, si: mungesa e dokumentacionit të bartësve, apo probleme teknike me deklarimet. Mirëpo, në dokumentacionin që posedojmë, kemi dëshmi se UP ka dosje të kompletuara komfor kërkesave të AKA-së. Ndërkaq, sa i përket problemeve teknike, konstatojmë se Zyra për Zhvillim Akademik në UP ka dhënë sqarimet e nevojshme në raportin e dërguar në AKA. Për një numër tjetër të programeve, KShC-ja nuk kane dhënë arsyetime”, thuhet në përgjigjen e Universitetit të Prishtinës.
Përpos Universitetit të Prishtinës janë edhe Universitete tjera të Kosovës që u janë refuzuar disa nga programet studimore për vitin akademik 2019/2020.
Rektorët e Universiteteve Publike të Kosovës kanë kërkuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë që të shkarkojë KShC, por përmes një përgjigje për portalin arbresh.info Ministria e Arsimit duket se nuk do të merret me këtë çështje.
Në përgjigjen e tyre thuhet se kjo çështje i takon Agjencisë së Kosovës për Akreditim dhe se ata duhet t’i ndjekin rrugët ligjore.
“Kjo është një çështje qe i takon Agjencisë se Kosovës për Akreditim dhe çdo institucion i arsimit të lartë që ka pretendime qe i janë bërë padrejtësi, i kanë rrugët ligjore institucionale qe mund t’i ndjekin”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Rektorët e Universiteteve Publike të Kosovës kanë paralajmëruar protesta dhe grevë nëse kërkesat e tyre për shkarkimin e këtij komisioni nuk merren parasysh deri javën e ardhshme./Mira Avdimetaj/ arbresh.info/
Pula flet për manipulimet e votave: E papritur, s’ka ndodhë ...
Vëllaznimi shënon fitore të madhe në luftë për mbijetesë
Florent Hasani shkëlqen me dy gola ndaj Adana Demirsporit
ZYRTARE: Hekuran Berisha rikthehet tek Dukagjini
Juventusi i ofron Zhegrovën Evertonit për sulmuesin e tyre, ...
Rama intervistë për median izraelite: Antisemitizmi fillon m...