Selmanaj reagon ndaj sondazhit të VV-së: LDK është e para

12:19 | 7 Janar 2019
A Z

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj ka reaguar ndaj deklaratave të zyrtarëve të Vetëvendosjes që partia e Kurtit do të mund të dalë e para në zgjedhjet e ardhshme, duke llogaritur këtu edhe votat e diasporës.
Selmanaj ka thënë se për një vit rresht sondazhet e nxjerrin LDK-në si partinë e parë me mbi 30%. Sipas tij me trendin e rritjes të vitit 2018, LDK-ja shpejt arrinë 35% të përkrahjes qytetare, shkruan Insajderi.

Deputeti i kësaj partie ka theksuar se LDK nuk do të bëjë kompromis dhe se Qeveria e ardhshme e Kosovës do të udhëhiqet nga kryeministri i kësaj partie.

Ky është postimi i plotë i Selmanajt:
Sondazhet për një vit rresht e nxjerrin LDK-në të parën me mbi 30%, me së paku 8 pikë të përqindjes përpara partisë së dytë. Me trendin e rritjes të vitit 2018, LDK-ja shpejt arrinë 35% të përkrahjes qytetare.

Ky rezultat i mundëson LDK-së të udhëheq me Qeverinë e Kosovës. Dhe për këtë LDK-ja nuk bënë kompromis. Qëndrimi i Kryesisë dhe i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së është i qartë, Qeveria e Kosovës do të udhëhiqet nga Kryeminsitri i LDK-së.

LDK-ja është qartë alternativa më e besueshme për ruajtjen e shtetit dhe tërësisë territoriale të Republikës së Kosovës, për zhvillim ekonomik e social dhe për integrim në BE.

LDK-ja nuk bënë kompromis me përgjegjësinë që i japin qytetarët për të udhëhequr me shtetin.

Theksojmë se gjatë ditës së djeshme, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë me një anketë të realizuar në muajin dhjetor, ku del se lideri më i pëlqyer nga qytetarët për kryeministër është Albin Kurti, ndërsa partia më e votuar ka dalë LDK-ja e Isa Mustafës.

Nga Vetëvendosje është shpjeguar se në këtë anketë nuk ka qenë pjesëmarrëse edhe diaspora, madje sipas tyre po të ishte edhe diaspora atëherë VV-ja do të dilte e para edhe si parti./Insajderi.com

 

 

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale