Po bëhen dy vjet që Kosova ka lansuar Agjendën Europiane të Reformave dhe ende nuk përmbushur 22 prioritete që ishte dashur të përfundonin në fund të vitit 2017.
Në nëntor 2016, ishin identifikuar gjithsej 22 prioritet që është dashur të përmbushen deri në fund të vitit 2017. Prioritetet ishin bazuar në 3 shtylla kyçe: (1) sundimi i ligjit, qeverisja e mirë (2) konkurrueshmëria, mjedisi biznesor, si dhe (3) arsimi dhe punësimi.
Sot në dy-vjetorin e lansimit të ERA-s, përkundër vonesës prej një viti, institucionet nuk kanë arritur të zbatojnë pjesën dërrmuese të prioriteteve që dalin nga Agjenda Evropiane e Reformave.
Nga gjithsej 22 prioritete, vetëm 4 prioritete janë përmbushur plotësisht. Ndërsa, në të gjitha 18 prioritete të tjera ka pasur progres, mirëpo asnjë nga to nuk është përmbushur në tërësi.
Kështu thotë Demush Shasha, drejtor ekzekutiv në Institutin EPIK në një përgjigje për portalin Arbresh.info tregon në detaje çfarë është përmbushur dhe çka jo.
“Katër prioritetet e përmbushura plotësisht janë: (1) Miratimi i Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit; (2) Lansimi i prokurimit elektronik; (3) Zbatimi i Strategjisë dhe Planit Veprimit për luftimin e ekonomisë joformale; dhe (4) Përmirësimi i prodhimit të statistikave zyrtare, nga Agjencia e Statistikave të Kosovës”, thotë Shasha.
Përkundër miratimit të Kodit Penal, institucionet nuk kanë arritur të miratojnë edhe Kodin e Procedurës Penale për të siguruar pezullimin/largimin e zyrtarëve publik të akuzuar/dënuar për korrupsion. Institucionet nuk kanë marr masa për të siguruar transparencën e financimit të partive politike. Po ashtu, ka vazhduar politizimi në emërimet e larta në institucionet publike, duke përfshirë institucionet e pavarura, bordet e ndërmarrjeve publike dhe agjencitë rregullatorë. Institucionet nuk kanë treguar vullnet që të ndërmarrin një reformë gjithëpërfshirëse të administratës publike.
Sa i përket rritjes së numrit të gjyqtarëve në Departamentin Administrativ dhe Departamentin Ekonomik të Gjykatës Themelore në Prishtinë, me qëllim të reduktimit të rasteve të grumbulluara në çështjet administrative dhe ekonomike, gjatë vitit 2017 Gjykata Themelore në Prishtinë ka zgjidhur më pak raste se sa ka pranuar në punë. Shasha thotë se Departamenti administrativ dhe ekonomik ka shënuar trend negativ në zgjedhjen e lëndëve krahasuar më vitin 2016. Gjatë vitit 2018, janë rekrutuar gjyqtarë shtesë në Departamentin Administrativ dhe Departamentin Ekonomik. Efekti i rritjes së numrit të gjyqtarëve mbetet të vlerësohet në vitin 2019.
Sipas Shashës nuk është përfunduar asnjë rast të profilit të lartë të korrupsionit të cilët ishin në shënjestër.
“Sa i përket luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përkundër rritjes së numrit të prokurorëve në Prokurorinë Speciale dhe rritjes së numrit të rasteve të shënjestruara, institucionet nuk kanë arritur të përfundojnë më sukses asnjë rast të profilit të lartë të korrupsionit”, deklaroi ai.
Në rrafshin ekonomik, Investimet e Huaja Direkte kanë shënuar rënie nga 4.7% në 2015, në 3.9% në 2017. Ndërsa, në vlerësimin 2019 të Bankës Botërore për të Bërit Biznes, Kosova ka shënuar regres nga vendi 40 në vendin 44.
Institucionet kanë shënuar regres edhe në pothuaj të gjithë indikatorë të papunësisë. Papunësia e përgjithshme është rrit për 3%, nga 27.5% në vitin 2016 në30.5% në 2017. Papunësia e të rinjve është rrit për 0.3%, nga 52.4% në 2016, në 52.7% në 2017. Ndërsa, papunësia e grave ka mbet e pandryshuar në 36.6%.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj vazhdon të shpresoj që në vitin 2019 Kosova do t’i përmbush 22 prioritete në kuadër të Agjendës Europiane dhe do të ketë një mundësi tjetër që të aplikoj për statusin e kandidatit.
Për dy vite, Kosova ka arritur t’i përmbush vetëm 10 prioritete ndërsa 12 të tjera janë përmbushur pjesërisht, thotë Hoxhaj.
“Prej 22 prioriteteve që ne i kemi pas në kuadër të Agjendës Europiane të Reformave kemi arritur që t’i përmbushmi vetëm 10-të ndërsa 12 te tjera janë përmbush 60 % 70 % dhe besoj që vitin e ardhshëm do të arrijmë të zbatojmë këtë agjendë të reformave dhe MSA-në dhe mandej do të kemi një mundësi krejt tjetër që të mund të aplikojmë për statusin e kandidatit” ka deklaruar Hoxhaj për Arbresh.info.
Në nëntor 2016, u lansua Agjenda Evropiane e Reformave (ERA) nga Kryeministri i Kosovës, dhe Komisioneri për politikat e fqinjësisë evropiane dhe negociatave për Zgjerim i BE-së. Qëllimi i Agjendës Evropiane të Reformave është që të përzgjidhen prioritetet kyçe të MSA-së me qëllim të avancimit të perspektives Evropiane të Kosovës dhe përmirësimit të jetës së qytetarëve./MiraAvdimetaj/Arbresh.info/
Ngritët aktakuzë ndaj B.T për krime lufte në Kosovë
Paga e 13-të për punëtorët e sektorit publik, Kurti: Do ta m...
Shtatë qytete mund të mbesin në terr për festë
Kurti: Investimet dhe ristrukturimi në Telekom po japin rezu...
Vetaksident në Pejë, lëndohet një person
Gerard Piqué raportohet se rikthehet nga pensionimi për të l...