Ministri kujton kohën kur ishte bukëpjekës: Karriera nuk fillon në zyrë

12:22 | 30 Dhjetor 2018
A Z

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ka kujtuar kohën kur ka qenë bukëpjekës në ditën kur ai ka festuar ditëlindjen e tij.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Lluka ka postuar disa foto ku shihet duke punuar në një furrë para 16 vjetëve. Këtyre fotove ministri Lluka i ka mbështetur një mbishkrim ku thotë se nuk ka pasur lluksin të ketë pushim.

“Sa isha duke shikuar disa foto, hasa në punët e ndryshme që i kam bërë në jetë dhe fokus të veçantë kishin ato punë që ishin të vështira por me mësime të fuqishme. Para rreth 16 viteve, kam punuar në furrë të bukës. Dita tipike e punës ka qenë nga ora 19:00 deri në 4:00 mëngjes, çdo ditë të javës, pa e pasur lluksin e kohës së pushimit për shkak të llojit të produktit (bukës) që nuk pret për pushime”, ka shkruar Lluka.

Lluka ka shkruar ndër tjera se përmes këtij postimi dëshiron të motivojë të rinjtë ngase karriera nuk fillon duke punuar në zyrë.

“Pra përmes këtij postimi, kam dëshirë t’i motivoj të rinjtë tanë se karriera nuk fillon vetëm me punë në zyrë. Ka të tillë me fat, por jo të gjithë kanë fat të tillë.Në fakt, unë besoj që një punë e zanatit dhe mundit, të mëson më shumë në jetë. Të jep njohuri mbi qështjet parimore dhe njerëzore më shumë se çdo punë tjetër. Prandaj ndihuni krenarë nëse jeni në fillim të karrierës dhe bëni punë të tilla, sepse, nga puna juaj e tillë, dikush është i kënaqur, gëzuar dhe i lumtur”, ka shkruar Lluka.

https://www.facebook.com/valdrinlluka/posts/276495496371211

Shpërndaje në rrjete sociale