Duke folur para gazetarëve në “Konferencën e Pranimit Ministrorë BE-Serbi”, Komisionari evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi të Mirë, Johannes Hahn, deklaroi se “taksa prej 100 % për mallrat e importuara nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina është kundër frymës së tregtisë së lirë të CEFTA-s” dhe kundër frymës së bashkëpunimi rajonal, i cili mund të zhvillohet vetëm nëpërmjet tregtisë së lirë, lëvizjes së lirë të mallrave dhe lëvizjes së lirë të njerëzve”.
Që nga koha kur BE-ja ka marrë rolin e ndërmjetësuesit në bisedimet Kosovë-Serbi nuk kemi pasur një kontekst të tillë që mundësoi nxjerrjen në shesh të logjikës së dyfishtë të sjelljes nga ana e disa përfaqësuesve të BE-së. Vendosja e taksave për produktet e Serbisë dhe të Bosnjës e Hercegovinës shërbeu për të përdorur një mori formash të presionit ndaj Kosovës, duke na i kujtuar parimet themelore dhe vlerat mbi të cilat mbështetet BE-ja.
Meqenëse jemi te parimet dhe vlerat që mishërojnë institucionet e BE-së dhe spekulohet rreth asaj se kush i shkel këto parime, atëherë po rikujtoj me sa vijon:
– Të gjitha ankesat që janë bërë nga ana e Kosovës për mosrespektimin e marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel kanë gjetur një trajtim mospërfillës nga ana e Serbisë.
– Kur autoritetet e Kosovës kërkonin nga institucionet e BE-së të ndërhynin tek autoritetet e Serbisë për të respektuar marrëveshjen për energji, përgjigjja ishte e qartë: “problemet të zgjidhen në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi”;
– Kur autoritetet e Kosovës kërkonin nga institucionet e BE-së të ndërhynin tek autoritetet e Serbisë për të ndërprerë minimin e përpjekjeve të Kosovës për anëtarësim në institucionet dhe organizatat ndërkombëtare përgjigja ishte e njëjtë: “problemet të zgjidhen në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi”;
– Kur autoritetet e Kosovës kërkonin nga institucionet e BE-së të ndërhynin tek autoritetet e Serbisë për të ndërprerë financimin e strukturave ilegale në Kosovë, përgjigjja e njohur na nxirrej përpara: “problemet të zgjidhen në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi”;
– Kur autoritetet e Kosovës kërkonin nga institucionet e BE-së të ndërhynin tek autoritetet e Serbisë për të ndërprerë presionet ndaj pjesëtarëve të përkatësisë etnike serbe në institucionet e Kosovës kishim përgjigjen tanimë të njohur: “problemet të zgjidhen në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi”;
– Kur autoritetet e Kosovës kërkonin nga institucionet e BE-së të ndërhynin tek autoritetet e Serbisë për të hequr barrierat që u vendoseshin produkteve dhe ndërmarrjeve të Kosovës kërkohej nga Kosova që “problemet të zgjidhen në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi”;
– Kur autoritetet e Kosovës kërkonin nga institucionet e BE-së të ndërhynin tek autoritetet e Serbisë për të respektuar parimet për lëvizjen e lirë të mallrave, lëvizjen e lirë të mjeteve dhe lëvizjen e lirë të njerëzve nga Kosova na thuhej që “problemet të zgjidhen në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi”;
– Me një fjalë, sa herë që autoritetet e Kosovës kërkonin nga institucionet e BE-së të ndërhynin tek autoritetet e Serbisë për të respektuar marrëveshjet, përfaqësuesit e BE-së e përsëritnin të njëjtën gjë: “problemet të zgjidhen në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi”.
Autoritetet e Kosovës u kanë bërë me dije të gjitha institucioneve ndërkombëtare dhe shteteve veç e veç se taksa e vendosur për produktet e Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës është çështje që mund të zgjidhet vetëm në kuadër të pakos së përgjithshme të dialogut Kosovë-Serbi.
Vetëm duke ndenjur neutrale ndaj “çështjes së taksës” dhe duke kërkuar që sikur të gjitha çështjet tjera, “edhe ky problem të zgjidhet në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi”, BE- ja mund të luaj rolin e ndërmjetësuesit të paanshëm dhe t’ia heqë vetes logjikën e matjes me dy kute.
Në kohën kur Kosova i plotësoi të gjitha kushtet për heqjen e regjimit të vizave ndaj qytetarëve të Kosovës, getoizimi i qytetarëve të Kosovës nuk është në frymë të bashkëpunimit rajonal dhe as në përputhje me parimin për qarkullimin e lirë të njerëzve, ideve dhe mallrave që qëndron në themelet e vlerave demokratike.
Do të kishte qenë mirë që Komisionari Johanes Hahn dhe të gjithë përfaqësuesit tjerë të BE-së që kanë ndjekur angazhimet e Kosovës në këtë proces, të angazhohen për të dëshmuar se edhe në rastin e Kosovës BE-ja funksionon në përputhje me parimet e veta. Deri tani realiteti dëshmon logjikën e dyfishtë dhe matjen me dy kute!
(Autori është Sekretar i Përgjithshëm dhe shef i Grupit Parlamentar të NISMA Socialdemokrate)
“Memories”, Gjesti publikon këngën më emocionale të tij
Ambasada amerikane në Tiranë paralajmëron për pasoja të rënd...
Dogana dhe AKI me aksion kundër barnave të kontrabanduara në...
Çka u konfiskua në aksionin e Antidrogës në Suharekë? – poli...
“Je i pashpirt”, DJ Gimbo shpërthen ndaj Rogertit pas pyetje...
BE premton ndihmë humanitare emergjente për të mbështetur uk...